TË JETOSH ME VASKO

Për vaskon më ka folur gjyshi, sepse edhe atij, 100 vjet më parë, i kishte folur gjyshi…

Kemi qenë axhami asokohe, në gjum të gjatë kemi qenë. Prandaj na duhet ta rrëfejmë të njëjtën përrallë për heroin e përhershëm, e gjithkohshëm, e tejkohshëm…, sepse me vasko qenka shkruar ta ngrysim jetën, ta hajë dreqi, ta hajë.

Besoj e keni parë vaskon të martën mbrëma në Kanal 5. Kishte mbledhur në qendër historianë injorantë, popa me urrejtjen në shpirt, fatkëqinj shpirtëdrobitur asimilimesh – mohsa të origjinës së të parëve…, se tema ishte goxha: Ishte a nuk ishte shqiptar Josif Bageri, ai që Rekën e Epërme e quante kërthiza e Shqipënisë?

Mentori i vaskos prej pseudohistoriani (ai i cili edhe në televizionin publik, që s’e shikon kush, po që mbahet në këmbë me paratë e mia, tuat, tonat… na quan popull gjenocidist…) sërish na krahason me shtazët. Gegët, thotë histEria, nuk kanë asnjë lidhje me Toskët. Toskët i takojnë racës së bardhë dhe janë të butë, të qytetëruar…, sepse maqedonas janë den baba den. Të tjerët, ndërkaq, janë pasardhësit e 700.000 Gegëve egërshanë (një përzierje miletesh aziatike…), të cilët në tokën e shenjtë të vaskos i sollën osmanët prej Indie në sh. XVIII. Ata (gjithnjë për Gegët then dhëmballët papuçorja) kur erdhën në Ballkan, ishin plotësisht të egër, komunikonin me klithma dhe vetëm me 28 fjalë. Si të tillë, ata bënë krime monstruoze dhe e shkatërruan qytetërimin e vaskos. Për këto barbari, pështynë maskarallëku, paska dëshmuar madje edhe një plakë ruse, ndaj as 50 vëllime histErie nuk mjaftojnë për të përfshirë gjithë krimet gege ndaj kombit biblik të shtrirë në shtetin liliput të madh sa dynjaja.

Të këtilla janë faktet histErike për Shqipërinë maqedonase, të cilën as turqit nuk e njohën, sepse albana paskësh qenë fjalë me prejardhje nga maqedonçja dhe do të thotë kodrinë, mal, pyll…, i stërpopulluar në kohët moderne me shtazë të egra shqiptare.

Për asnjë qime nuk ndryshon as diskursi i popit dhe mitropolitit me mendësi mesjetare. Edhe për ata, kërkesa për kishë shqiptare të popullatës ortodokse të Rekës, të cilët tok me vaskon i quajnë shkreti, është përpjekje për bërjen e Iliridës kishtare. Edhe ata janë dh… njësoj si vasko, por i mban shpresa se kishën shqiptare të Rekasve do ta kundërshtojnë shqiptarët e ndershëm muslimanë, ata që nuk pajtohen me Bashkësinë Fetare Islame, që është deklaruar pro Kishës së shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Njëri prej dy popave të qendrës së vaskos është dhe mjek psikiatër, ndaj flet jermas për patologji kolektive gegësh, sikur ka të bëjë me tokë mera të ekselences së tij prej mjekrre bizantine. Ai me vaskon tuten se, nëpërmjet kishave, shqiptarët do ta realizojnë atë që e kanë bërë serbët në Kosovën e pavarur, të shndërruar në xhepa ku mund të hynë e të dalin serbes edhe kriminelët më të dëshmuar millosheviqianë të luftës së fundit. Sipas tyre, lëri kishat e Rekës, po edhe xhamitë nuk u takojnë shqiptarëve, po turqëve.

Natyrisht, përveç kishës ortodokse shqiptare që po lind pazaptueshëm, siç lind dielli i një mengjesi pranveror pas errësirës së gjaaatë të një dimri, vasko vuan edhe për pronat shqiptare në Çarshinë e Shkupit. Si është e mundur të ndodhë kjo para hundës së tij ciklopike?!

vasko sjell xhirimet e një dritareje të thyer në kishën e Haraqinës (të merremi vesh: autori i këtij shkrimi është kundër vakive të tilla anticivilizuese), po atij s’i kërset fare dhe nuk di gjo për xhaminë e bërë hi në Prilep, për Burmali xhaminë në qendër të Shkupit, për xhaminë e rrënuar në qendër të Tetovës, për kishat katolike shqiptare në oborret e të cilave ndërtohen në mënyrë të pashembullt makete kishash bizantine, për varrezat shqiptare të shtruara me asfalt udhësh dytësore e të shndërruara në stadiume ndihmëse futbollistike e hajt bir. Ai s’di kurgjo sepse ka panikë dhe është analfabet, miop dhe shoven i pashërueshëm. Jo rastësisht e ngushëlluan disa herë popat e (e)misionit të tij çervish, duke i thënë të mos e dëmtojë shëndetin, sepse e kanë pushtetin dalëzotës që do t’i vë në vend të gjitha sipas mekamit të njohur, mirënjohur, stërnjohur…

Po e lë me kaq, të dashurit e mi. Mbase e zgjata me filmin e parë sa e sa herë prej jush, gjyshërve dhe stërgjyshërve tuaj të urtë.

Sinqerisht, shyqyr që vasko nuk e flet Shqipen time me 28 fjalë. Shyqyr që nuk më lejohet si lartmadhërisë së tij të jem vasko, edhe po të kisha lindur me të njëjtën diagnozë. Po të mendoja ndryshe, do t’i tregoja se shqiptarët e flasin njërën ndër gjuhët më të lashta e më të veçanta të Indoevropianishtes, se ata kanë mbi 150.000 fjalë dhe shprehje, por, për mjerimin e vaskos, shqiptarët nuk kanë asnjë fjalor so SO SRPSKO-HRVATSKI TOLKUVANJA…

Megjithatë, vasko, si përherë, ka të drejtë për gjithçka që thotë, për gjithçka që bën, për gjithçka që shpif, për gjithçka që shkreton, për gjithçka që përmjerr, për gjithçka që rrënon pariparueshëm…

vasko bën atë që di dhe atë që ia thonë padronët e ferrit.

Fundja, vasko turpëron vetveten dhe klasën intelektuale/ akadermike të bashkësisë së tij, ata që do të duhej ta shkruajnë përpara meje këtë kolumnë.

Në të drejtat e tij të paskajshme, vasko ka të drejtë të jetë dhe gjynaf.

Ç’jam duke bërë unë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Një përgjigje e shkëlqyeshme e Fatmirit mjeranëve dhe abdallëve të këtij vendi të vockël që nuk zgjohen nga gjumi i rëndë i shovenizmit dhe racizmit antishqiptar. Ku janë vallë gjithëa ai kallaballëk deputetësh e funksionarësh shqiptarë që të ngrenë padi kundër fashistëve maqedonas që e propagandojnë egërsinë serbomadhe? Turpi është i politikanëve shqiptarë! Respekti i takon Fatmirit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button