Papa “kryqëzon” kandidatin republikan Trump: Nuk është i krishterë

Papa Françesku e ka vënë në dyshim qenien e kandidatit republikan për nominimin e republikanëve, Donald Trump, i krishterë, pikërisht për shkak të thirrjes së tij për të ndërtuar një mur me Meksikën, transmeton Top Channel.

Sipas Atit të Shenjtë, “një person që mendon sesi të ndërtohen mure, në vend që të ndërtojë ura, nuk është i krishterë”.

Kjo deklaratë e ashpër e kreut të Selisë së Shenjtë ndaj manjatit të pasurive të paluajtshme vjen edhe për shkak të mbështetjes së këtij të fundit për deportimin e afro 11 milionë emigrantëve pa dokumente qëndrimi në SHBA.

Duke u vetëquajtur “një i krishter krenar”, Trump fajësoi krerët e Meksikës për fjalimin e Papës, duke e quajtur atë “të turpshëm”. Sipas pretendimeve të këtij të fundit, Meksika dërgon vetëm “përdhunues” dhe kriminelë në Shtetet e Bashkuara.

Komentet e Papa Françeskut kanë ardhur në ditën e fundit të udhëtimit të tij 6-ditor në Meksikë.

“Një person që mendon vetëm si e si të ndërtojë mure, kudo që të mundet, në vend që të ndërtojë ura, nuk është i krishterë. Nuk është kjo, ajo që kërkon të mësojë ungjilli”, ka shtuar më tej ai.

Ati i Shenjtë refuzoi të thoshte nëse amerikanët duhet ta votojnë apo jo Trumpin, si një nga pretendentët për nominimin gjatë Presidencialeve të këtij viti në SHBA, duke qenë manjati kryeson garën e republikanëve për presidentin e ardhshëm të Amerikës.

“Mund të them vetëm këtë: ky person nuk është i krishterë, nëse mendon në këtë mënyrë. Gjithsesi duhet të shohim nëse ai vërtet i ka thënë ato deklarata duke menduar në këtë mënyrë, pasi në të kundërt do t’i jepja atij dobinë e dyshimit”, tha kreu i Vatikanit.

Përgjigjja e Trumpit ishte e shpejtë, teksa po i adresohej një mitingu në Karolinën e Jugut. “Për një udhëheqës fetar, fakti që vë në dyshim besimin e një personi është i turpshëm. Unë jam një i krishterë krenar, – deklaroi manjati amerikan. – Asnjë udhëheqës, veçanërisht ata të besimeve fetare, nuk mund të kenë të drejtën e dyshimit të besimit të dikujt tjetri”.

“Papa ka thënë gjëra negative ndaj meje. Kjo edhe për shkak sepse qeveria meksikane e ka bindur atë, se Trumpi nuk është një djalë i mbarë”, përfundoi deklarata e pretendentit republikan për nominim. Por, një dedikim e la pas këtij komenti. Sipas tij, Vatikani është “trofeu i fundit” i të ashtuquajturit Shtet Islamik dhe, nëse ata e sulmojnë atë, “Papa vetëm sa do të kishte dashur dhe do të lutej që Donald Trumpi të kishte qenë president, sepse një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur me mua”.

Ndërkohë, dy prej rivalëve republikanë të Trumpit, Marco Rubio dhe Jeb Bush, që të dy katolikë, thanë se ata e respektojnë Papën për udhëheqjen shpirtërore, e jo për sugjerime politike. Sipas Rubios, Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë dhe e kanë për detyrim që të kontrollojnë kufijtë me shtetet fqinje. Ndërsa Bush u tha reporterëve se “ai është në mbështetje të mureve, aty ku janë të nevojshme dhe të përshtatshme” dhe se, “krishtërimi është diçka mes vet atij dhe krijuesit të tij. Ndaj nuk mund të diskutohet më tej kjo temë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button