Maqedoni, duhani ‘iluzioni’ që rrit adoleshentët

“Po bëhen 40 vjet që pij duhan. Gjatë kësaj kohe vetëm sa kam qëndruar në spital nga bronhitisi nuk kam pirë duhan. Mjekët më kanë thënë se duhet ta lë menjëherë, por nuk mundem. E dij se më shkakton shumë probleme shëndetësore, por ja që nuk rrij dot pa pirë.”-rrëfeu për Portalb një 70 vjeçare. Por të moshuarit nuk janë kategoria e vetme që përballen me këtë problem. Instituti i Shëndetit Publik njofton për Portalb se 8% e djemve dhe 6% e vajzave të moshës  15 vjeçare kanë pirë duhan çdo ditë. Të dhënat janë rezultat i hulumtimit (për vitin 2014) nëpër shkolla të mesme, në kuadër të projektit HBSC. Ndryshe nga mjekët që mund të flasin për pasojat e duhan-pirjes, për Portalb ekspertët e sferave të ndryshme sqaruan shkaqet.

 

“Pirja e duhanit paraqet një ves individual, që socializohet përmes imitimit të njerëzve nga familja, rrethi, personalitetet referenciale, mediat, filmat.”-tha sociologu, Ali Pajaziti për Portalb.

“Të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat; ata mendojnë se përmes këtij veprimi shprehin lirinë, pavaresinë dhe kapin trendin e kulturës rebele juvenile.”-tha Pajaziti, “Në fakt hyjnë në një qark të destruktivitetit, të vetëdegradikit trupor dhe financiar.”

“Anëtarësimet në grupe dhe disa procese socializuese tek ne fillojnë me njerëzit që kanë edhe këtë biletë në duartë e tyre: qoftë përmes duhanit,qoftë përmes fillimit të përdorimit të alkoolit në moshë të re.”-tha psikologu, Musa Musai.

Sipas Musait, ekzistojnë teori psikologjike, që sqarojnë pse adoleshentët fillojnë të pijnë duhan, si: teoria e të mësuarit përmes modelimit (teoria e Albert Bandurës) sqaron se i riu i sheh më të rriturit, të cilët i konsideron si një model të përshtatshem për veten duke pirë duhan. Kështu ai vendos të pijë duhan që të dentifikohet me moshërriturit, të ndjehet i rritur; pikëpamja e Sigmund Freud-it, thotë se personat obsesivo-kompulsiv (emocionalisht të ngarkuar dhe pjesërisht më të prirur drejtë një gjendje neurotike) janë më të prirur që të jenë edhe duhanpirës; një pikëpamje tjetër psikologjike thotë se ekziston mundësia që personat, që nuk kanë plotësuar nevojën orale, siç është thithja gji mjaftueshëm tek nëna (në moshën 0-1 vjeçare) këtë mund ta transformojnë në pirje duhani me qëllim të plotësimit të asaj zbrazëtire.

“Në hapësirën prapa shkollës rregullisht rreth 10 nxënës i shoh duke pirë cigare çdo herë që kaloj.”-tha një nxënës 16 vjeçar, “Shpesh kur mblidhemi, shokët që pijnë duhan na thonë neve që nuk e pijmë t’u bëjmë shoqëri dhe ta dhezim edhe ne nga një cigare.”

“Në këtë proces nga pikëpamja psikologjike kemi të bëjmë edhe me vetë perceptimin”-sqaroi Musai, “në kuadër të së cilit ne shohim se njerëzit që janë përpara një fenomeni të caktuar dhe tani duhet të formojnë një bindje dhe qëndrim të tyre, në përgjithësi zgjedhin dy rrugë të mundshme të formimit të asaj bindjeje: qëndrueshmërinë (në kuadër të së cilës argumentet janë ato që i ofrojnë mundësinë që të bindet në dëmet e mundshme që mund të sjell përdorimi i duhanit, rreziqet në lidhje me sëmundjet e mushkërive, organeve të sistemit kardiovaskular, pengesat në shtatëzani, jetëshkurtësia) ose racionalizim (personat në fjalë për të arsyetuar veprimin e vetë do të sjellin shembuj të habitshëm p.sh: do të ju thonë se e kanë gjyshin 85 vjeçar, e ka pirë duhanin që kur ishte 10 vjeçar, por jeton i lumtur).”

 

Ndryshe sipas Dnevnik.mk hulumtimet në vitin 2014 treguan se 37% e qytetarëve të Maqedonisë, respektivisht 740 000 janë duhan-pirës. Për cigare qytetarët shpenzojnë 240 000 euro çdo ditë, repsktivisht 80 milionë euro çdo vit.

Sipas Healthline.com kur cigarja dhezet gjenerohen mbi 7000 kemikale. Shumë prej këtyre kemikaleve janë helmuese dhe së paku 69 janë kancerogjene. Cigarja shkakton varësi psiqike, ashtuqë kur duhan-pirësi ka stres zvogëlohet ndikimi i nikotinës, andaj ai stimulohet të pijë më shumë cigare; Mushkërive u dobësohet aftësia filturese, ashtuqë duhan-pirësi më shpesh përballet me gripe, infeksione, sëmundje kronike dhe kancer në mushkëri; rrit mundësinë për sulm në zëmër, kancer të gjakut (leukemi); shkakton plakjen e parakohshme dhe njolla në lëkurë, zverdhje të dhëmbëve; shkakton probleme në sistemin e tretjes dhe çrregullim të oreksit; te gratë shtatzëna shkakton çrregullime dhe pasoja për foshnjen./Portalb.mk

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button