Limaj bën ftesë për daljen nga kriza

Lideri i NISMA-s për Kosovës, Fatmir Limaj, përmes një statusi në Facebook ka bërë ftesë për daljen nga kriza politike.

Limaj ka thënë se konferenca për media e kryeministrit Isa Mustafës dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçit ishte për keqardhje.

Ai ka bërë të qartë se zgjidhja më e mirë për të dal nga kriza janë zgjedhjet.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e plot të Limajt:

“Ftesë për daljen nga kriza aktuale politike

Në konferencën e djeshme për shtyp të dy partnerëve të koalicionit e thirrur menjëherë pas protestës madhështore të organizuar nga Opozita e Bashkuar, konferencë e cila përveq se ishte trishtuese ishte edhe për keqardhje.

Ajo qka ndëgjuam nga ata dje, ishte një arsenal fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj qytetarëve protestues. Prezenca e madhe e qytetarëve dhe përfundimi paqësor i protestës, trishtoi ata dhe pa dashje zbuluan skenarin e errët të dhunës të planifikuar po nga ata.

Ata duhet ta kenë të qartë se Kosova është në krizë të thellë politike, populli i Kosovës përmes protestave masive e ka bërë të qartë që këto institucione nuk kanë më legjitimitet dhe se vendi duhet urgjent të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Në emër të daljes së vendit nga kriza aktuale politike, ftoj Kryetarin e Kuvendit që mos të thërras seancë parlamentare, sepse tashme është e qartë se ky parlament nuk ka më legjitimitet dhe nuk kemi kushte për të vazhduar punën normale pa një zgjidhje politike ndërmjet partive politike të cilat janë të përfaqësuara në parlament. Çdo injorim i këtij realiteti politik është provokim dhe veprim i qëllimshëm për ta vazhduar dhe thelluar krizën aktuale politike dhe për këtë ju do të këni përgjegjësinë.
Prandaj, ftoj edhe njëherë që urgjentisht të ulemi, ne të gjitha subjektet parlamentare dhe të mirremi vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Për shkak të humbjes së legjitimitetit të këtyre institucioneve duhet të shtyhet zgjedhja e presidentit.
Edhe për zgjedhjen e presidentit duhet të kemi një marrëveshje politike.

Tashmë janë të mundshme dy opcione për zgjedhjen e presidentit, e para duke marr angazhime për të provuar që për president të vendit të gjejmë një kandidat konsesual sipas ligjeve në fuqi ose që të mirremi vesh për zgjedhjen e drejtpërdrejt nga populli.

Të gjithë duhet ta kuptojmë dhe pranojmë se kjo është rruga e vetme për ti dhënë zgjidhje krizës aktuale politike në vend. F.L”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button