Car Dushani, si të (mos) reagohet

Në periudhën e njohur si mesjetë, nga rrënia e Perandorisë Romake deri te pushtimi otoman i Stambollit, Ballkani ka jetuar e frymuar sipas ritmit të Perandorisë Bizantine. Si pasardhëse e Romës së vjetër, ajo ka qenë një perandori e madhe shumë-etnike, dominuese e pakontestueshme e gadishullit. Vetëm në kohëra problematike, kur Bizanti është përballur me probleme të brendshme dinastike, ose me kanosjen fillimisht arabe e më pas turke në Lindje, në gadishull kanë ngritur kokë mbretëri të tjera, që kanë shfrytëzuar boshllëkun e lënë nga Bizanti për të pushtuar territore të reja që realisht nuk u kanë takuar. Këto mbretëri janë zhdukur posa është rimëkëmbur Bizanti, gjë që më së miri tregon karakterin e tyre të përkohshëm dhe jostabil. Kështu u ka ndodhur mbretërive bullgare të Borisit e Samoilit; kështu i ka ndodhur edhe asaj serbe nën Car Dushanin, figurë që është në qendër të vëmendjes ditëve të fundit.

Si çdo udhëheqës tjetër periferal, edhe Dushani ishte mahnitur nga shkëlqimi i Bizantit dhe u mundua të imitojë atë në çdo aspekt. Ai solli një kod ligjor, ndërsa sipas modelit multietnik të perandorisë bizantine, veten e shpalli perandor të të gjithë popujve që jetonin në territoret që kishte pushtuar, pra mbret i serbëve, shqiptarëve, vllehëve, bullgarëve e grekëve. Pasi dallimet etnike atëbotë edhe nuk ishin aq të rëndësishme, nuk ka dëshmi që ai të kishte bërë terror në kësi bazash, por nga ana tjetër u tregua i pamëshirshëm ndaj feve tjera që ekzistonin brenda mbretërisë së tij, posaçërisht asaj katolike. Prandaj me përjashtim të katolikëve shqiptarë të veriut të diskriminuar në baza fetare, nuk mund të thuhet se ai kishte ndonjë prirje antishqiptare, ose anti cilësdo etnie tjetër. Ai thjeshtë ishte një sundues tipik mesjetar, me të gjitha të metat që kishin sunduesit e asaj kohe.

Nga ana tjetër shumë më problematike është ajo që Car Dushani ka simbolizuar dhe simbolizon këto 200 vitet e fundit. Qysh prej pavarësimit të shtetit serb nga perandoria osmane dhe hartimit të Naçertanies famëkeqe, nacionalizmi serb ka përdorur Car Dushanin dhe shtetin e tij si kut i përmasave që duhej të kishte edhe shteti modern seb. Pa marrë parasysh se shteti i Dushanit kishte karakter të përkohshëm, territori i tij ka shërbyer si shtytës dhe cak i ambicieve ekspanzioniste serbe, natyrisht në kurriz të popujve tjerë të Ballkanit, sidomos popullit shqiptar. Në emër të tij, nëpërmjet agresivitetit ekspanzionist serb, disa herë kanë ndodhur gjenocide të tmerrshme ndaj popujve tjerë, së pari në periudhën 1878-1881, pastaj gjatë luftërave ballkanike, Luftës së Dytë Botërore e në fund në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Vendosja e statujës së Car Dushanit sot arsyetohet me nevojën që edhe pakica serbe në Maqedoni të jetë e përfaqësuar në projektin Shkupi 2014, duke harruar se aty akoma nuk ka asnjë shenjë të ndonjë përmendoreje shqiptare. Poashtu thuhet se historikisht ai nuk është figurë kontroverse, një arsyetim tejet naiv dhe qesharak, sepse pa marrë parasysh se cili ishte dhe çka ishte Dushani historik, nuk ka dilema se cili është dhe çka përfaqëson Dushani simbolik i kohërave tona. Për të kënaqur pakicën serbe ka mundur të zgjidhet ndonjëra prej figurave civilizuese serbe, t’a zëmë një Dimitrije Tucoviq që është një shembull i mirë i mentalitetit bashkëjetues, përkundër atij konfliktuoz serb. Fakti që është zgjedhur pikërisht car Dushani me gjithë pretendimet që ai simbolizon, tregon se qëllimi ka qenë të provokohet një reagim, e më pas ai të kanalizohet për zgjedhjet e ardhshme. Veprimi poashtu shërben mirë për të larguar vëmendjen nga probleme tjera akute, si bingo – punësimet në Pyjet e Maqedonisë, apo dështimi i rradhës në eurointegrime, para samitit të ardhshëm europian që duhet të mbahet këtë muaj dhe ku shtete tjera si Shqipëria e Serbia shënojnë përparim të dukshëm.

Ndërkaq vetë reagimi i politikës shqiptare, ai që bëri bujë, ishte tragji-komik. Me të vërtetë është për mjerim kur pushtetarët tanë, që duhej të kishin ndaluar vendosjen e këtij busti apo të paktën të kishin organizuar heqjen e tij në mënyrë ligjore (sepse zyrtarisht është ndërtim pa leje), organizuan një gjoja skenë të heqjes së dhunshme në mes të natës. Ata nuk arritën t’a largojnë shtatoren nëpërmjet institucioneve që udhëheqin e ku marrin pjesë; as nuk morrën të paktën guximin t’a rrëzojnë atë ditën me diell, nëse veçmë nuk dijnë t’i zgjedhin punët institucionalisht. Me aktin në mes të natës, kur zakonisht bëhen punë të liga, ata devalvuan plotësisht revoltën e drejtë të shqiptarëve dhe i dhanë asaj karakter tinzar e banditesk. Fundja, pasi nuk arritën t’a rrëzojnë, por vetëm t’ia gërvishtin pak Car Dushanit (shtatoren), i dhanë revoltës shqiptare edhe karakter impotent.

Turpin e shkaktuar kësisoj shqiptarëve, megjithatë deri diku arritën t’a zbutin dy gjeste tjera. Një organizim i qytetarëve shqiptarë të Shkupit, që deshin t’i hedhin një pëlhurë të zezë shtatores e që u parandaluan nga policia, të paktën tregoi se shqiptarët dijnë të reagojnë në mënyrë dinjitoze. Është për t’u përshëndetur edhe gjesti i plakut nga Haraqina, që doli të rrënojë vetë këtë ndërtim pa leje, pa iu trembur syri, në pikë të ditës. Jo që aprovoj rrënime në mënyrë të tillë, por plaku të paktën tregoi se po erdhi puna për rrëzim me dhunë ajo duhet të bëhet në pikë të ditës, jo hajnisht natën. Këta dy gjeste, dinjiteti e guximi, të paktën shfaqën edhe një faqe të bardhë që na kishin nxirrë më herët politikanët.

Sido që të jetë është fakt që shqiptarët janë treguar tejet të durueshëm me këtë cirk që quhet Shkupi 2014 dhe që po ndërtohet edhe me para të tyre. Me vendosjen e Car Dushanit më në fund duhet të tërhiqet një vijë e kuqe dhe këtij projekti përfundimisht t’i thuhet stop.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button