Pushteti dhe opozita – fjalor përçarës dhe akuza të ndërsjella

Partitë opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të largohet dhe që deri me 27 shkurt t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, por, drejtuesit e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë kundërshtuar kërkesën e opozitës.

Thirrjet e opozitës, në formë ultimatumi, janë bërë gjatë protestës, më 17 shkurt, të organizuar nga tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ku morën pjesë disa dhjetëra mijëra qytetarë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se opozita do ta pranojë vetëm një vendim nga Qeveria e Kosovës – vendimin për dorëheqje.

“I japim kohë kësaj qeverie deri më 27 shkurt. Këtë kohë kjo qeveri duhet ta shfrytëzojë për t’u larguar nga aty.I vetmi vendim i kësaj qeverie që e pranojmë ne, është vendimi për largimin nga pushteti. Nëse nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme brenda kësaj periudhe, protestat tona më nuk do të ndalen”, ka theksuar Ymeri.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur negativisht thirrjes së opozitës për dorëheqje, duke thënë se ndërrimi i pushteteve nuk bëhet me protesta e parulla.

Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë një konference për media, të thirrur menjëherë pas përfundimit të protestës së opozitës, ku u kërkua dorëheqja e tij dhe e qeverisë aktuale.

Ndërsa e ka mohuar dorëheqjen, Mustafa ka ftuar opozitën të kthehet në Kuvend dhe së bashku të punojnë për shtetin e Kosovës.

“Opozita i ka dhënë disa afate dhe mund të vazhdojnë të japin afat deri më 10 qershor të vitit 2018 , deri sa të bëhen zgjedhjet e rregullta. Bile, nuk do ta lodhim mendjen që të mendojmë për afatet e tyre, sepse kemi punë shumë më të mençura dhe kemi detyrime shumë më të mëdha ndaj qytetarëve, që të përmbushim obligimet e tyre, ta forcojmë shtetin, ta forcojmë ekonominë dhe të integrohemi në Bashkimin Evropian”, ka thënë Mustafa, transmeton REL.

Kërkesë për largimin e qeverisëka bërë edhe lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu gjatë protestës së 17 shkurtit. Ai ka kritikuar qeverinë për një varg dështimesh, duke theksuar se masiviteti i protestës bartë edhe porosinë e qytetarëve, e cila sipas tij, është edhe porosi e opozitës.

“Me vendimin e juaj (qytetarëve) për shkarkim, i obligoni të gjithë vendim marrësit. Ju i keni obliguar që ta zbatojnë këtë vendim menjëherë”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova ka institucione legjitime e legale, të cilat do të vazhdojnë me punën e tyre.

Madje, ai ka përdorur fjalor jo të zakonshëm deri më tash në diskursin publik, në adresë të opozitës.

“Kishin dërguar mesazhe ‘na pritni sot në Prishtinë’, ‘na pritni në qeveri kryeministër Mustafa, zëvendëskryeministë Thaçi’. Ne ishim këtu, njëzet metra në distancë me ta. Nuk erdhën. I pritëm. Kësaj radhe kishim vendosur që të mos i presim me kafe, por t’ua japim përgjigjen e merituar. Dhe, si u larguan? Me bisht ndër shalë, si qyqarë.”

“Sa u përket ultimatumeve… në njërin vesh hyjnë e në tjetrin dalin. As që e kemi ndërmend t’i dëgjojmë ultimatumet revolucionare. Ne e respektojmë vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht 2015, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button