Kosova tetë vjet pas pavarësisë në krizë politike

Kosova shënon të mërkurën përvjetorin e tetë të pavarësisë së saj, duke u përballur me krizën më të rëndë politike. E mërkura duket si e ndarë në dysh. Paradite, në kryeqytet mbahen manifestime të organizuara nga qeveria, ndërsa pasdite, opozita hidhet në protesta kundër qeverisë, shkruan Zëri i Amerikës.

Opozita kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar këtë marrëveshje sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria ka bërë thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në muajin dhjetor tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës krahas urimeve për tetë vjetorin e pavarësisë, kanë bërë thirrje që kremtimet të mos zbehen nga protestat e së mërkurës.

Në një pritje me rastin e përvjetorit të pavarësisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se shteti i Kosovës lindi me shumë mundime.

“Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.

Ajo tha se sakrifica për të arritur deri më sot, krijon vetëdijen se Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë, për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie. Për të këmbëngulur për rend dhe ligj dhe për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit. Për t’i rikthyer në busull të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan që ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë”, tha presidentja Jahjaga.

Përgëzimeve për përvjetorin e pavarësisë por edhe thirrjeve për protesta të qeta u janë bashkuar edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan, Bob Corker, ritheksoi përkushtimin amerikan ndaj Kosovës.

“E di se disa qytetarë të Kosovës do të demonstrojnë për të shprehur pikëpamjet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë të gjitha të drejtat që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo me dhunë. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit, e jo të shënohet me dhunë”, tha senatori Corker.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane. Bisedimet i sigurua Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese. Ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në tetor të vitit të kaluar e cila u miratua nga Parlamenti Evropian në fillim të këtij viti.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button