Sot Kosova mbush 8 vjet të shtetësisë

Si sot tetë vjet më parë, momenti i kremtes kulmoi atë ditë të diele, kur në Kuvendin e Kosovës, në orën 15:39, të 17 shkurtit 2008, u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Kosova sot mbushi tetë vjet shtet i pavarur. Por deri në këtë datë, pati shumë dhimbje, lot e gjak.

Ai ishte një çast i paharruar për të gjithë ata që patën fatin ta përjetojnë.

Emocion, gëzim e lot pati tek secili shqiptar. Botës iu shtua edhe një shtet.

Të nesërmen gëzimi vazhdoi pasi filluan të vijnë edhe njohjet e para.

Kosta Rika e Afganistani, SHBA-ja e Shqipëria, Turqia e Gjermania, të gjitha më shpejt se tjetra njoftonin lajmin e mirë për kosovarët se ata njihnin shtetin e ri që do të dnryshonte përgjithmonë hartën e Ballkanit.

Nga atëherë, Kosovën e kanë njohur 111 shtete, ndërkohë që kanë mbetur edhe më pak se gjysma e tyre për ta bërë këtë.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, pasoi mbikëqyrja nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar nën drejtimin e Pieter Feith, i cili ishte prezent deri më 10 shtator të 2012.

Paraprakisht, më 22 korrik të 2010-ës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Paralelisht me GJND-në, në shtetin e ri u vendos edhe misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit EULEX, i cili është aktiv edhe aktualisht, por me mandat të ristrukturuar.

Ndërkohë, shteti i Kosovës u sfidua nga faktori ndërkombëtar për dyshimin se disa nga prijësit e UÇK-së kishin kryer krime lufte.

Pasi u formua një Task forcë speciale për hetimin e pretendimeve të Martit, Kosova pranoi që të formohet edhe Gjykata Speciale. Ky organ selinë do ta ketë në Holandë.

Por, krahas akuzave të rënda dhe dëmtimit të imazhit, Kosova pati sukses duke u anëtarësuar në disa organizata me renome botërore si FMN e BB.

Edhe pse qytetarët e saj ende nuk mund të lëvizin pa viza nëpër Europë, Kosova nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Europian, duke e firmosur MSA-në, në tetor të 2015-ës.

Por, dështoi që të anëtarësohej në UNESCO, në fund të vitit 2015.Sidoqoftë, sukses pati në sporte. Komiteti Olimpik i Kosovës u bë pjesë e familjes më të madhe të sportit botëror, ndërsa shumë federata u anëtarësuan në ato europiane e botërore.

Edhe në futboll, Kosovës iu lejuan lojërat miqësore nga FIFA,njofton Klan Kosova.E ndeshja e parë e nivelit ndërkombëtar nën mbikëqyrjen e FIFA-s ndodhi më 5 mars të vitit 2014.

E 8 vjet pas pavarësisë, Kosova për herë të parë po përfaqësohet në Oscar. Bile, filmi ‘SHOK’ është pretendent për këtë çmim në kategorinë e metrazhit të shkurtë.

Në aspektin e politikës së jashtme, Kosova ishte aktive edhe në fushën e diplomacisë. Shteti i ri ka të hapura disa ambasada e konsullata gjithandej globit.

Bisedimet që filluan si teknike, përfunduan në politike. Si pasojë e marrëveshjeve, Kosova në takimet ndërkombëtare e rajonale përfaqësohet me fusnotë.

Dy shtetet kanë arritur që t’i nënshkruajnë disa marrëveshje. Si më e rëndësishmja konsiderohet ajo e 19 prillit të 2013-ës.

Por, marrëveshjet e arritura gjatë vitit të kaluar kanë krijuar debat të ashpër në Kosovë. Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është duke u kundërshtuar fort nga Opozita. Njëjtë si edhe çështja e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Për shkakun e këtyre marrëveshjeve, në Kuvendin e Kosovës është bllokuar puna që nga shtatori, derisa në sallën e legjislativit u hodhën vezë e gaz lotsjellës nga opozita.

Sot Kosova e pret këtë ditë me shumë sfida e me shumë punë përpara.
– See more at: http://lajmi.net/sot-eshte-17-shkurti-kosova-mbushi-8-vjet-te-shtetesise/#sthash.MfulvNUu.dpuf

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button