E revoltuar, zonja e parë e Shqipërisë, Odeta Nishani le punën!

Zonja e parë, Odeta Nishani, jep dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë zonja Nishani, në faqen e saj në Facebook, ku shkruan se me keqardhje largohet, nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme, nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës.

Zonja Nishani vë theksin tek cënimi i kodit të etikës në administratë, tek presioni psikologjik, si dhe tek trysnia e vazhdueshme që po përdoret, në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna. 

Ja se çfarë shkruan Odeta Nishani, në profilin e saj, në “Facebook”: 

“E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cënohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. 

Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithçka duhet të funksionojë në një kuadër etik.

Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë, po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve).

Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga ministria. Gjej rast të falënderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor”. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button