Tusk, në Athinë: Pezullimi i Greqisë nga “Schengen” nuk e zgjidh krizën e refugjatëve

Disa orë para samitit të lartë të BE-së në Bruksel, me temë qëndrore çështjen e refugjatëve, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, pas një takimi në Athinë kanë deklaruar se mbyllja e kufijve, siç pretendojnë disa shtete anëtare, përbën rrezik për BE-në.

Izolimi i Greqisë nga zona e “Schengen”-it nuk e zgjidh krizën e refugjatëve, nuk ndalon luftën në Siri dhe nuk e bën Europën më pak tërheqëse për emigrantët, ka thënë ai.

“Nuk e ka shkaktuar Greqia këtë krizë, as Europa. Për të gjithë ata, që flasin për të përjashtuar Greqinë nga ‘Schengen’-i, duke menduar se kjo është një zgjidhje për krizën e refugjatëve, unë them jo, nuk është kjo zgjidhje. Më lejoni të jem i qartë. Përjashtimi i Greqisë nga ‘Schengen’-i nuk zgjidh asnjë nga problemet tona”, tha Donald Tusk, President i Këshillit Europian.

Deklarata e zyrtarit të lartë europian vjen vetëm disa orë pas takimit të kryeministrave të Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë, të ashtuquajturat shtete të grupit të Vishegradit, të cilat kanë propozuar një “plan B” për të përballuar fluksin e refugjatëve nga Turqia, nëpërmjet ishujve grekë drejt Europës Qendrore, duke mbyllur kufijtë e Greqisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me Bullgarinë.

“Disa propozojnë të përballojme këtë çështje me kufijtë e mbyllur, me gardhe të ngritura në mesin e shteteve europiane. Ne besojmë se, një qasje e tillë do ta çojë Europën në një udhë pa krye”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Pas deklaratës së fundit të Kancelares Merkel në një të përditshme gjermane, se është e kotë dhe antieuropiane ngritja e gardheve në kufirin greko-maqedonas, edhe Tusk ka bërë të qartë nga Athina mbështetjen e Brukselit dhe të Berlinit, që kërkojnë vazhdimësinë e zonës “Schengen”.

Ai ka rënë dakord me kryeministrin grek për përforcimin e rolit të “Frontex”-it në Egje, përshpejtimin e procedurave të regjistrimit dhe identifikimit për refugjatët, riatdhesimin e shpejtë të atyre që janë emigrantë ekonomikë nga vendet e sigurta dhe përfundimin e qendrave të pritjes në Greqinë kontinentale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button