Pse kemi thirrje nacionaliste në ndeshjet sportive?

Është e shpeshtë dukuria e shfaqjes së nacionalizmit në ndëshjet sportive të organizuara nëpër arenat sportive të Maqedonisë dhe jo vetëm. Kjo vërehet më së miri në ndeshjet ku ekipet u takojnë bashkësive / grupeve të ndryshme etnike, siç janë maqedonasit dhe shqiptarët.

Janë këto raste kur tifozët e palëve kundërshtare shfryjnë gjithë energjitë e tyre negative, duke u përpjekur të sfidojnë “tjetrin” dhe duke theksuar epërsinë ndaj tij.

Këtë e pohon për Portalb Qani Abdiji – udhëheqës i tifo-grupit tetovar “Ballistët”:

“Nacionalizmi ndodh shkaku i urrejtes së popujve ndërmjet vete. Jemi të vetëdijshëm për luftërat që kanë ndodhur në Ballkan ndërmjet shteteve dhe kjo bën që nacionalizmi të shfaqet edhe nëpër evenimente sportive ndërmjet dy ekipeve që u takojnë bashkësive të ndryshme etnike”.

Ai më tej theksoi se nacionalizmi veçanërisht shfaqet kur ndeshen dy shtete të cilët para një kohe të caktuar kanë pasur probleme, ose e kanë konceptuar njëri-tjetrin si një lloj armiku. Të tilla raste paraqiten në ndeshjet e ekipeve të Maqedonisë me Greqinë, bie fjala, të Greqisë me Shqipërinë etj., etj.

Profesori i Kulturës fizike Haki Ismaili mendon se nazionalizmin e nxisin njerëzit që nuk kanë lidhje me sportin.

“Sa herë që ka shpërthime nacionaliste nëpër terrenet sportive, fajet duhet kërkuar tek mosinvestimi në edukimin e mirë sportiv të të rinjëve. Populli thotë se atë që mbjellish do ta korrish një ditë. Mjerisht do te ketë skena të tilla të shpërthimit të urrejtjeve, gjersa shoqëria jonë nuk do të investojë më shumë mund në edukimin e sipërpërmendur të tifozerisë, e cila në plan të parë duhet ta ketë suksesin e ekipit, jo sharjet e përkatësisë etnike të lojtarëve kundësrshtarë”, tha Haki Ismaili.

Për Artan Sulejmanin, që ndjek me rregull ndeshjet sportive të ekipit të tij të adhuruar – “Shkëndijës” së Tetovës, gjëra negative dhe të pahijshme ndodhin edhe ne ndeshjet sportive ndërmjet ekipeve të të njëjtës etni.

“Shihni çfarë ndodh në ndeshjet futbollistike ndërmjet “Pelisterit” dhe “Vardarit”, për shembull. Gjatë gjithë ndeshjes ka sharje dhe fyerje, jo në baza etnike, po në baza të tjera. Për këtë shkak, mendoj se ata që shahen nëpër stadiume janë tipa të cilëve pikërisht stadiumet ua japin mundësinë e një shfryerje të streseve të akululuara të jetës…”, tha ai.

Një tifoz që deshi të mbetet anonim tha për Portalb se nuk sheh asgjë të keqe në sharjet që behen brenda stadiumeve, sepse tifozet kudo në botë janë të njëjtë. Ajo që nuk bën te ne është vazhdimi i fyerjeve dhe dhunës ndaj tjetrit pas daljes nga arenat sportive…

Në fund ia vlen të thuhet se përkundër demokratizimit të Ballkanit dhe të vendit ku jetojmë, rastet e shpërthimeve nacionaliste të të rinjëve janë prezente gati në të gjitha stadiumet dhe arenat sportive. Ka pasur raste madje kur ndjenjat e urrejtjes ndaj shqiptarëve janë shfaqur edhe në arenat sportive ku ekipi kombetar i Maqedonisë nuk ka luajtur me ndonje ekip shqiptar, po me ekipe të vendeve të tjera. Më drastiku në këtë mes qe ndeshja e hendbollin ndërmjetr Maqedonisë dhe Çekisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button