Në sulmet ndaj spitaleve dhe shkollave në Siri vriten 50 civilë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se në sulmet me raketa në pesë institucione shëndetësore dhe në dy shkolla në Halep dhe Idlib në Siri, u vranë rreth 50 persona, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendës zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Hak tha se në sulmin ndaj spitaleve dhe shkollave në Halep dhe Idlib u vranë 50 civilë, ndërsa një numër i madh janë plagosur. Sulmet janë kryer në spitalet e mbështetura nga organizata ndërkombëtare “Mjekët pa Kufij”.

Hak u tha gazetarëve në New York, se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka shprehur shqetësim për sulmet ndaj civilëve. Ai theksoi se këto sulme janë shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar.

Hak vuri në dukje se këto sulme kanë shkaktuar edhe dëme të infrastrukturës në objektet e shëndetësisë dhe arsimit në Siri. “Këto sulme kanë hedhur në hije premtimet e dhëna në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Mbështetje të Sirisë në Mynih ditë më parë”, tha Hak.

Ai theksoi se është e nevojshme që sa më shpejt të jetë e mundur të zbatohen masat e rëna dakord në takimin e Mynihut.

Kujtojmë se fuqitë kryesore të botës kanë arritur një marrëveshje më 12 shkurt për “ndalimin e dhunës” në Siri dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për popullatën. Sipas dokumentit që u pranua nga Grupi Ndërkombëtar për Mbështetje të Sirisë, konfliktet duhej të pushojnë brenda shtatë ditëve, kurse ndihma humanitare në disa zona duhet të shpërndahet menjëherë.
Zëvendës zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nuk dha detaje në lidhje me atë se cila palë ka kryer sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button