Ja pse Maqedonia duhet të ketë edhe Gjykatë Speciale

Mossuksesi i Prokurorisë Publike të Maqedonisë për t’u marrë me shkeljet ligjore dhe kushtetuese të funksionarëve të lartë shtetëror dhe partiak, detyroi faktorin politik në Maqedoni nën presionin ndërkombëtarë që të krijojë një Prokurori speciale që do të merret me materialet e publikuara nëpërmes të a.q “bombat e opozitës”.

Më datë 12 të këtij muaji, Prokuroria speciale nëpërmes një konference për shtyp shpalosi edhe lëndën e parë. Po të njëjtën ditë publikoi edhe 8 (tetë) të dyshuarit e parë për manipulime zgjedhore, njofton Portalb.mk.

Gjykatësit e Gjykatës Themelore Shkupi 1, në procedurën paraprake i kanë refuzuar kërkesat për paraburgim nga Prokuroria Speciale dhe kanë nënshkruar vendim për lirimin e të dyshuarve nga rasti “Titanik”.

Ekspertët juridik, këtë akt të gjykatës e cilësojnë si joadekuat dhe të politizuar.

Profesoresha Mirjana Najçevska thotë se në këtë rast bëhet fjalë për shfrytëzim joadekuat i kompetencave të gjyqësorit.

“Vlerësoj se ky rast është tregues se gjykatësit janë nën ndikimin e strukturës qeveritare, sepse në këtë rast ekziston mundësia e ndikimit ndaj dëshmitarëve, por edhe mundësia e përsëritjes së veprës. Megjithatë, është shumë më i rëndësishëm elementi i sigurisë politiko-institucionale i qytetarëve që humbet në këtë mënyrë. Mendoj se në të ardhmen, duhet nga gjithë aktivitetet gjyqësore të përjashtohen gjykatës për të cilët në raste gjyqësore është perceptuar keqpërdorim i kompetencave nga ana e sektorit civil ose opozita ose gjykatës të cilët janë përmendur në “bombat” që u publikuan nga opozita”, sqaron për Portalb Najçevska.

Ndërkaq profesori universitar Osman Kadriu vlerëson se Prokuroria me aktin e ndërmarrë tregoi një gatishmëri dhe një profesionalizëm të theksuar edhe u krijua një besim ndaj institucionit nga ana e qytetarëve. Ndërkaq, aktin e gjykatës Kadriu e quajti obstruksion të radhës ndaj punës së Prokurorisë speciale, njofton Portalb.mk.

“Veprimi i Gjykatës tregoi se gjyqësori është i politizuar dhe i komprometuar. Këto janë obstruksione, mund të ndodhë që të ketë zvarritje në zbërthimin e këtyre lëndëve. Ne si ekspertë edhe më përpara jemi prononcuar, se me themelimin e Prokurorisë special dhe me miratimin e ligjit të veçantë për Prokurori speciale parlamenti duheshe të sjell edhe një ligj për Gjykatë speciale”, theksoi për Portalb Kadriu.

Ai mendon se pa themelimin e një Gjykate speciale shumë rëndë do të jetë të ndryshohen këto raste nga ana e gjyqësorit, njofton Portalb.mk.

“Aty tani ka një pengesë juridiko-kushtetuese. Që të themelohet Gjykata speciale patjetër duhet të ketë një ndryshim në Kushtetutë. Duhet të hapet Kushtetuta. Mendoj se nuk është ndonjë punë e rëndë vetëm duhet të ketë vullnet politik në parlament. Pushteti, natyrisht se ka averzion ndaj asaj që të themelohet Gjykatë speciale, prandaj edhe nuk do të pranon ndryshimin e Kushtetutës. Mirëpo e vetmja rrugëdalje është themelimi i Gjykatës speciale”, porositi Kadriu.

Kujtojmë se Prokuroria speciale është ankuar pas refuzimit të gjykatës për caktimin e paraburgimit për të dyshuarit në aksionin “Titanik”. / Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button