Kapen cigare të kontrabanduara në Bllacë

Autoritetet doganore të Maqedonisë në vendkalimin kufitar Bllacë me Kosovën kanë sekuestruar 195 koli cigaresh të kontrabanduara.

Cigaret u gjetën të fshehura në autobusin me targa turke, i linjës së rregullt Prishtinë – Stamboll.

Sipas njoftimit të autoriteteve doganore, drejtuesi i autobusit gjatë kryerjes së procedurave doganore në kufi ka deklaruar se nuk posedon asgjë për të lajmëruar për doganim pranë autoriteteve doganore, mirëpo pas urdhrit për kontroll janë gjetur cigaret e fshehura në pjesën e bagazhit të autobusit.

Policia kufitare ka theksuar se më pas një shtetas malazez që ishte udhëtar në autobus, identiteti i të cilit nuk është publikuar, ka pranuar se cigaret ishin në pronësi të tij dhe se destinacioni i tyre final ishte Bullgaria, ku do t`i dorëzoheshin një shtetasi bullgar.

Pas verifikimit të kolive të cigareve është vërtetuar se ato ishin pa pulla dhe se ishin siguruar në tregun e zi të cigareve në Kosovë. Ndaj shtetasit të Malit të Zi, si kontrabandues i cigareve, është shqiptuar masa e paraburgimit prej tetë ditëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button