Kerry deklaratë të përbashkët me Ramën: Shqipëria është në rrugën e duhur

Kreu i diplomacisë së SHBA-së, John Kerry, pas takimit që ka patur me Kryeministrin e vendit, Edi Rama, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për medait. Kerry ka dhënë mesazhin se Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur. Gjithashtu Sekretari amerikan i Shtetit është ndalur edhe në kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, luftën globale ndaj DAESH-it, dhe konsolidimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kerry në fillim të fjalës së tij ka shprehur vlerësime për mikpritjen dhe kryeministrin Rama. “Presidenti Obama, unë dhe populli amerikan ju jemi shumë mirënjohës për përpjekjet e ekipit tuaj. Ndodhem këtu sepse jemi miq, ne jemi aleatë dhe kemi interesa të stërmëdha të përbashkëta dhe kemi përshkruar një rrugë të veçantë në marrëdhëniet tona. Ne po punojmë në një kohë të sfidave të stërmadha globale dhe Shqipëria i ka kuptuar këto sfida”- ka deklaruar kreu Kerry.

Shefi i diplomacisë amerikane ka pohuar se në konferencën e sigurisë në Mynih fokusi ka qenë situata në Lindjen e Mesme dhe nevoja për të mposhtur grupin terrorist DAESH. “E dimë që mposhtja e DAESH-it kërkon një koalicion të gjerë dhe Shqipëria është anëtare themeluese e këtij koalicioni. Po qëndron bashkë me ne në Afganistan, në luftën afatgjatë për të mënjanuar ekstremet e dhunshme. Shqipëria nuk është thjeshtë një vend mik, por është një vend anëtarë i NATO-s dhe kjo sjell përgjegjësi të veçanta për këtë rajon. Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur. SHBA-të janë me ju në këtë transformim dhe rrugëtim, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura. Shqipëria ka bërë përparim domethënës”, ka theksuar më tej Kerry.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pohuar se kjo vizitë e nis më së mirë celebrimin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Rama ka pohuar se Shqipëria do ta konsolidojë bashkëpunimin me SHBA-në për prosperitetin rajonal. Në vlerësimin e kryeministrit Rama, kriza e refugjatëve ka nxjerr në pah bashkëveprimin që duhet mes vendeve dhe ka sjell në pah sipas tij që integrimi në BE i Ballkanit mos të shikohet si rutinë.

“Pa SHBA-në në krah as Shqipëria as shqiptarët nuk do të ishin më të respektuar se kurrë më parë në historinë e tyre. Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. Iu jemi mirënjohës SHBA-së për ndihmën e çmuar që kanë dhënë në rrugën gjatë kësaj reforme. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaj i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese. Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në NATO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Trupat tona do të vazhdojnë misionin në Afganistan deri kur të jetë e nevojshme. Diskutuam edhe për nivelin e kërcënimit terrorist. E informova sekretarin Kerry për masat që ka marrë Shqipëria në këtë drejtim”- u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar që uron që edhe Maqedonia të çlirohet sa më shpejt nga ngërçi që sipas tij e i mban të bllokuar drejt NATO-s. Ndërsa ka shtuar se duhet të vijojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku sipas tij është e vetmja rrugë për të arritur suksesin.

Kerry është takuar edhe me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button