Janari dogji qytetarët, EVN me fatura marramendëse në fillim të vitit

Qytetarët ankohen për fatura të larta të muajit janar që ju kanë arritur nga EVN. Ata thonë se këto fatura duhet të jenë të fryra shkaku që asgjë më shumë nuk është përdorur në janar, madje shumica e të ankuarve as që ngrohen me rrymë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga muaji dhjetor, ne muajin janar. Ne ngrohemi ne dru dhe rrymën e përdorim vetëm për gjana tjera, madje për të kursyer atë kemi ble një shporet me gaz për të përgatitur kurse fatura më vjen dy herë më shumë në janar. Si është e mundur kjo. Besoj që është faturë e fryrë dhe shpresoj të minusohet në muajt në vijim”, tha Gani Ajadri, qytetar.

Nga EVN, zëdhënësja Vlera Gjakova, thotë për Portalb se qytetarët në janar, që është edhe një ndër muajt më të ftohtë e shpenzojnë më shumë rrymën– dhe automatikisht konsumi është më i lartë.

“Që në fillim duhet sqaruar se nuk ka pasur ndonjë ndryshim të praktikave të faturimit, por  qytetarët në janar, që është edhe një ndër muajt më të ftohtë e shpenzojnë më shumë rrymën– dhe automatikisht konsumi është më i lartë.
LEXO: A  paguajmë çmimin më të lartë në rajon të energjisë elektrike?

Gjithashtu faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe temperaturat që ishin në minus gradë celsius, festat e fundivitit dhe vazhdimi i tyre, pra, në qoftë se bëjmë një paralele me muajt e tjerë të konsumit të energjisë elektrike.  Arsyeja tjetër e ndikimit të konsumit është se shumica e amvisërive përdorin energjinë elektrike për t’u ngrohur që nënkupton konsum të shtuar, dhe, gati shumica e pajisjeve elektrike janë në funksion. Matematikisht nëse kalkulojmë me kilovatët e shpenzuar gjatë muajve të verës dhe atë dimrit, natyrisht që shpenzimi është më i lartë sepse kemi të bëjmë me stinë dhe temperatura të ndryshme”, tha Gjakova.

Ajo gjithashtu nuk përjashton mundësinë që fatura mund të jetë e fryrë dhe thotë që qytetarët duhet të bëjnë kërkesë për korrigjimin e të njëjtës.

E kemi cekur disa herë, nëse eventualisht te disa konsumatorë paraqitet diferencë te konsumi, pra çmim më i lartë ose më i ulët, ai në çdo kohë mund të kërkojë / dërgojë kërkesë për korrigjim të faturës dhe do t’i përgatitet faturë e re në çdo QEK (Qendër energjetike të konsumatorëve) më të afërt ose në Call qendrën e EVN-së; korrigjim i cili mund të jetë më e vogël ose më i madh, në varësi nga vlerësimi i bërë, duke marrë mesataren e konsumit për më shumë muaj. Pra, le t’i praktikojnë shërbimet e EVN –së për çdo ankesë eventuale, shërbime të cilat janë në dispozicion 24 orë gjatë çdo ditë të javës. Nëse, përsëri, konsumatori nuk bën korrigjim dhe tani më ka bërë pagesën e faturës së shpenzuar, në faturën e ardhshme do të bëhet  shlyerje, që nënkupton se as edhe në një moment konsumatori nuk do të dëmtohet, por do të paguan aq sa ka shpenzuar”, tha Gjakova.

Ndërkaq qytetarët ankohen edhe në faqen e OJQ Duam Çair të Pastër në rrjetin sociale në Facebook, ku konfirmojnë fryrjen e faturave mirëpo thonë se edhe ankesat nuk pranohen nga EVN.

“E kanë tepruar, madje isha dhe u ankova, por punonjësit nuk pranojnë asgjë. Janë njerëz të besueshëm edhe ata, punonjësit pra dhe duket se si EVN po na vjedh dhe jo vetëm këtë muaj!, ka komentuar një qytetar në faqen e DÇP./ Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button