MONUMENT TMERRI

Para se ta njohim si autor të albumit të tmerrit: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, Nusret Pllanës ia kemi dëgjuar zërin, që, në pranverën e vitit 1999, kumbonte nga bunkerët e nëndheshëm të maleve të Berishës, për t’na i mbushur zemrat me frymëzim lirie, me fjalinë emblemë të raporteve të luftës: JU FLET KOSOVA E LIRË…

Nusret Pllana është autor i librave të rëndësishëm mbi gjenocidin serb mbi shqiptarët, autor dokumentarësh dhe ekspozitash të krimit, të promovuar tani më në shumë vende të botës dhe para personalitetesh me ndikim në jetën politike e shoqërore.

Në sajë të këtyre veprave, sado i vetmuar në betejën e tij, Nusret Pllana prej vitesh është bërë zëri i të vërtetës që sfidon gënjeshtrat e fosileve mesjetare, të cilët, vetëm pas botimit të këtij libri, e kanë vështirë të justifikojnë masakrat monstruoze dhe marifetin e shndërrimit të kriminelit në viktimë dhe viktimës në kriminel.

Natyrisht, edhe përpara Nusret Pllanës, është shkruar për dhunën e egër serbe, po nuk është përgatitur kurrë një libër që dokumenton me aq detaje të bindshme tmerret e shkaktuara prej nje regjimi antinjerëzor.

Për krimet në fjalë kanë shkruar edhe vetë serbët, pa ia dalur që të shpëlajnë ndërgjegjen e ngarkuar të etnisë së tyre. Më 1877, mësuesi Josif Kostiq nga Leskoci, pjesëmarrës në  gjenocidin serb të bërë ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit, shkruan: Shqiptarët, të zhveshur e të zbathur, nëpër të ftohtit e acartë të dhjetorit, i braktisën nga dhuna shtëpitë e tyre. Atë natë vdiqën shumë gra e pleq, shumë fëmijë, të hedhur e të ngrirë grykës së Gërdelicës deri në Vrajë e Kumanovë.

Ai pohon më tej se, akoma pa përfunduar shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, nëpër shtëpitë e tyre me plot gjëra u futën egërsisht familje të ardhur nga qytetet serbe, duke e nisur kësisoj kolonizimin e vendbanimeve dhe tokave tona.

Në mesin e atyre që kanë bërë diçka në këtë aspekt janë dhe shumë personalitete të huaj, si puna e shkrimtarit të madh kroat – Mirosllav Kërlezha, që ka denoncuar herët “politikën e lugatosur” antishqiptare të Serbisë. Në një ese tronditëse të viteve të ’30-ta, ai shkruan për kolporterët e gazetave serbe (Pravda, Vreme, Balkan…) të Beogradit, që shpallnin me entuziazëm masakrat ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës: Tek i dëgjoja britmat e tyre, shkruan Kërlezha, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë e ndjeja çka do të thotë të jesh njëri nga Mustafa Abazët dhe Adem Beqirët 25 vjeçarë dhe çka do të thotë të biesh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar i pafajshëm nga mitralozat e shtetit, që krenohet se sundon territoret e tjetrit me vullnetin e Perëndisë…

Është e njohur se serbët kanë bërë krime, pastaj krimet e veta na i kanë mveshur ne shqiptarëve. Dhe bota, çuditërisht, i ka pranuar si të sakta mashtrimet, madje, me sentimente të pakapshme nga mendja e shëndoshë, vazhdon t’u besojë akoma, duke barazuar krimin me viktimën, e, disa herë, edhe duke ndërruar komplet rolet e tyre përmes shqiptarofobësh të mirëpaguar, si puna e atij izmeqarit serb në Parlamentin evropian – Dik Martit.

Vepra e Nusret Pllanës është album tronditës gjenocidesh të përsëritura, përpara të cilëve nuk mund të mbetet indiferentë as guri e druri, jo më ata që e quajnë veten njerëz. Libri është imazh i gjallë i krimit monstruoz serb nëpër të cilin kanë kaluar breza të tërë shqiptarësh përgjatë historisë së tyre tragjike.

Pamjet që ofron ai janë rrënqethëse dhe nuk shikohen kollaj. Ato nuk u lejohen të rinjëve nën moshën 18 vjeçare…, sepse janë skena të vërteta dhune që shkojnë përtej imagjinatës më të çmendur që mund të prodhojë një film horror.

Fotografitë e panumërta të tmerrit, që fillimisht e kanë shqetësuar vetë autorin e librit, vijnë, jo për të trazuar të sotmen, siç e kanë zakon fqinjët tanë me librat e tyre, po për të ndërprerë përsëritjen e makabriteteve historike.

Pjesa më faktografike e librit hapet me fotografitë prëkëse të karvaneve të masës oqeanike prej afro 400.000 muhaxhirësh shqiptarë të Sanxhakut të Nishit, të dëbuar nga Nishi, Vraja, Leskoci, Prokupla, Kurshumlia, Piroti dhe nga 720 fshatra të tjerë përreth tyre, me pretekstin se janë turq, ashtu siç i prezantonte dhe Porta e lartë.

Pasojnë kapitujt me fotografi rrënqethëse të masakrës së Tivarit (1945); skenat e dhembshme të shqiptarëve të dënuar nëpër gjyqet e Rankoviqit e të Titos dhe dhuna shtazarake ndaj studentëve shqiptarë të vitit 1981; masakrat e kohës së suprimimit të autonomisë së Kosovës (1989); skenat fashizoide të helmimit të nxënësve, të prezantuara më pas si skizofreni kolektive e të rinjëve të papërjetuar shqiptarë…; dhuna ndaj protestave studentore të vitit 1997 dhe fare në fund: gjenocidi që nuk mund të përshkruhet me fjalë, i bëra gjatë kohës së luftës në Reçak, Obri, Prekaz, Qirez, Rugovë të Hasit, Dubravë, Celinë, Mejë të Korenicës, Llap, Mitrovicë, Makoc… etj., etj, ku u vranë, u dhunuan e u prenë shtazërisht me thika familje të tëra dhe mijëra njerëz të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë.

Kjo pra është vepra për të cilën autori pohon se e kanë  shkruar burrat dhe gratë, pleqtë dhe plakat, djemtë e vajzat shqiptare, fëmijët shpirtvirgjër, të gjendur përpara xhelatit të pashpirt…; e ka shkruar Valmir Deliu – foshnja e masakruar dyvjeçare me cucëll në gojë dhe plaku 100 vjeçar i Reçakut me kokë të prerë nga po e njëjta dorë gjakatare.

Pa dyshim, modestia e profesor Nusretit është tipar i njerëzive të mëdhenj, pa të cilët bota do të ishte e mjerë dhe e varfër.

Kjo është arsyeja përse këtij njeriu INSTITUCION me zjarrin në shpirt, i uroj shëndet e kurajo për të vazhduar misionin e tij të rrallë prej atdhetari, me të cilin xigëlon fuqishëm ndërgjegjen inferiore të botës, po dhe ndërgjegjen e pandjeshme sa duhet të intelektualëve kruijues dhe institucioneve shqiptare që kanë mundur dhe mund të bëjnë më shumë për ta prezantuar me argumente bindëse të vërtetën e shtrembëruar të Kosovës para opinionit botëror, që na ka kushtuar e na kushton tmerrësisht shumë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button