TIKA dhuron 2 milione euro për shëndetësinë e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për projektin e “Renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në shërbimin spitalor dhe klinik universitar të Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Dr. Ismet Rrahmani, ministri i Shëndetësisë së Kosovës ditëne sotme e cilësoi si një ditë të shënuar në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet të dy shteteve, Kosovës dhe Turqisë, në shumë fusha dhe në veçanti në shëndetësi. Ministri Rrahmani e vlerëson këtë projekt si shumë të rëndësishëm për shëndetësinë kosovare në përgjithësi dhe në veçanti, për degën e mjekimit intensiv.

Sipas tij, me këtë përkrahje nga TIKA dhe shteti turk, do të ndihmohet ngritja e kapacitete të kujdesit intensiv, si një nga pikat neuralgjike të shëndetësisë kosovare.

“Realizimi i këtij projekti ngrit kapacitetet në mjekimin intensiv sepse e dini që është një nga pikat e dobëta në sistemin tonë shëndetësorë. Ky investim prej rreth 2 milionë dhe ndoshta edhe më shumë, do të sigurojë dyfishimin e kapaciteteve në mjekimin intensiv dhe gjithsejt do të kemi 27 shtretër me pajisjet më moderne për trajtimin e të sëmurëve më kritik”, tha ministri Rrahmani, përndryshe mjek specialist i Mjekësisë Emergjente dhe ish kryeshef i Departamentit të Emergjencës, Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Ai tregoi se ky projekt që do të kushtojë rreth 2 milionë euro do të realizohet në repartin ku aktualisht gjendet transfuzioni i gjakut, në kuadër të ndërtesës së Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Koordinatori i TIKA-së në Kosovë, Ejup Javuz Umutlu lavdëroi bashkëpunimin ndërmjet të institucionit të cilin e udhëheq dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se ky nuk është as projekti i parë dhe as i fundit në shëndetësi.

Sipas tij, projekti i renovimit të repartit të kujdesit intensiv në QKUK është një projekt i rëndësishëm për shëndetësin kosovare i cili nuk do të zgjidh gjitha problemet e shëndetësisë kosovare, por gjithsesi se do të ndihmoj në një pikë ku ajo çalon.

“Siç biseduam paraprakisht me ministrin, ne me këtë projekt nuk synojmë të zgjidhim të gjitha problemet e shëndetësisë, por besoj se kemi prekur një çështje kritike dhe shumë të rëndësishme, duke ngritur në mënyrë të ndjeshme kapacitetin e kujdesit intensiv”, tha Umutlu dhe ripërsëriti përcaktimin e shtetit turk që, këtë bashkëpunim të sinqertë dhe të afërt me Ministrinë e Shëndetësisë ta vazhdoj edhe në të ardhmen.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic u shpreh shumë e lumtur dhe krenare që shteti i saj, përmes TIKA-së, do ta ndihmoj renovimin e Njësisë së Kujdesit Intensiv, me çka po dëshmohet se Turqia dhe Kosova kanë një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm në çdo fushë, jo vetëm në fushat e politikës, ekonomisë dhe kulturës, por edhe në shëndetësi.

“Projekti i cili do të fillojë me këtë ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjes, është edhe një tregues i përkrahjes tonë konkrete dhe dëshirojë të shprehi dëshirën time që ky projekt i renovimit i Njësisë së Kujdesit Intensiv të jetë me fat për popullin e Kosovës”, tha ambasadorja Kiliç dhe ritheksoj përkushtimin e të gjitha institucioneve të Turqisë, duke filluar nga TIKA, pastaj ambasada turke dhe të gjithë përfaqësuesit e institucioneve tjera turke në Kosovë, për të përkrahur dhe ndihmuar proceset e zhvillimit dhe shtet ndërtimit të Kosvës.

Duke i vërtetuar fjalët e ministritë të Shëndetësisë Rrahmani dhe koordinatorit të TIKA-së Umutlu, ambasadorja Kiliç tha që ky projekt nuk do të jetë as i pari dhe as i fundit, ndërsa në vazhdën e shumë projekteve të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve, gjatë muajve të ardhshëm do të ketë edhe aktivitete të tjera.

“Javën e ardhshme, nga 20 deri më 28 shkurt, do të organizojmë ‘Javën e Shëndetësisë Turko-Kosovare’, me ç’rast nga Turqia do të vijnë 27 mjekë të cilët do të punojnë për një javë rresht, së bashku me kolegët e tyre kosovarë. Po ashtu, gjatë prillit, 20 mjekë specialistë të emergjencës nga Kosova do të marrin pjesë në seminarin e organizuar në Turqi. Në kuadër të bashkëpunimit të deritashëm ndërmjet të ministrive të Shëndetësisë të Turqisë dhe Kosovës, ne do të vazhdojmë përkrahjen për dërgimin e të sëmurëve kosovarë për shërim në Turqi”, tha ambasadorja Kiliç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button