Rasti i Kumanovës, të akuzuarit zbardhin detaje të reja

Edhe shkencërisht do të dëshmojmë se është i pabazë kualifikimi si vepër terroriste dhe organizim terrorist nga ana e Prokurorisë Publike për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Kështu janë zotuar avokatët e palës mbrojtëse për rastin e “Lagjja e Trimave –Kumanovë”. Ndërsa të akuzuarit kanë kërkuar drejtësi dhe kanë hedhur dyshime të reja të cilat do t’i japin kahje të duhur rastit drejt zbardhjes, raporton Portalb.

Prononcimet e palës mbrojtëse:

“Klienti im nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet dhe këtë do ta dëshmoj me anë të fakteve. Fadil Fejzullahu as nuk e ka ndihmuar grupin e as nuk ka qenë mbështetje logjistike. Veprimet e theksuara në aktakuzë nuk paraqesin veprën penale terrorizëm dhe organizim terroristik. Rekomandimi im është që në këtë procedurë të mos ketë politikë por e gjithë procedura të bazohet në argumente”, ka thënë mes tjerash para Këshillit gjyqësor avokati mbrojtës Lubço Veselinovski, i cili është avokati e të akuzuarit Fadil Fejzullahu, raporton Portalb.

Asmir Alispahiç, avokat i të akuzuarit Irfan Lutfiu ka thënë se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen e “Kumanovës”.

“Gjatë procedurës do të vërtetoj se Irfan Lutfiu nga data 2 maj deri më 8 maj ka punuar në sallonin e tij si frizer. Do të dëshmojnë edhe personat që janë shërbyer nja i njëjti, po në këtë periudhë. Ai nuk ka të bëjë me veprën penale terrorizëm dhe organizim terroristik”, ka potencuar Alispahiç.

Me definicionet mbi terrorizmin do të dëshmojmë se kjo aktakuzë është e pabazë. Terrorizmi është akt dhune ndaj institucioneve dhe qytetarëve për realizimin e qëllimeve politike. Kështu është zotuar Elenko Milano, avokati i të akuzuarit Bekim Kabashi.

Sipas tij, as Prokuroria Publike nuk i beson kualifikimit juridik terrorizëm. Ai këtë e ka argumentuar duke cituar aktakuzën, ku theksohet se “Një grup i armatosur me uniforma të zeza me shenjën e UCK-së është vendosur në Kumanovë”.

“As Prokuroria Publike nuk flet për grup terrorist. Është evidente se nuk ka të bëjë me terrorizëm. Pastaj, rasti i “Gushincës” policët në stacionin policor në Gushincë nuk kanë qenë të keqtrajtuar. Nuk ka elemente terrorizmi, apo është një formë e një ‘terrorizmi human’”, theksoi Milano.

Avokati Mefail Asllani, që mbron të akuzuarit Valdet Zeka, Rufki Dogani dhe Nasuf Beqiri, tha se është i bindur se do të vërtetoj se në këto raste nuk bëhet fjalë për veprën penale terrorizëm, raporton Portalb.

“Si avokat nuk e kam të qartë këtu elementin e terrorizmit. Klientët e mi dhe unë s’pajtohemi me këtë term. Është i nevojshëm rikualifikimi i kualifikimit juridik të Prokurorisë publike. Ky grup gjatë qëndrimit në Kumanovë nuk ka lënduar asnjë qytetarë”, potencoi avokati Asllani.

“Nexhmedin Lika nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Aktakuza është e pabazë, e paqarte dhe jo gjithëpërfshirëse. Ai është gjetur në mes gjuajtjeve dhe është dorëzuar pa sulmuar”, ka thënë mes tjerash Ibrahim Bajrami, avokati i Nexhmedin Likës.

Të pabazë, të paligjshme dhe të inskenuar, e ka quajtur aktakuzën Avni Kurtishi, avokat i të akuzuarit Besnik Ajdini.

“Do të japim një pasqyrë tjetër nga ajo që paraqitet në aktakuzë. Besnik Ajdini nuk ka kontaktuar me grupin. Aktakuza është e përgjithësuar, aty flitet për veprime të ndërmarrura nga grupi. Derisa gjatë aksionit policor Besnik Ajdini së bashku me familjen ka qenë në shtëpinë e tij”, deklaroi në fjalën hyrëse Kurtishi.

Dejan Pavllovski, avokat i të akuzuarit Arsim Bajrami, ka pohuar se Arsim Bajrami nuk ka qenë pjesë e grupit.

“Arsim Bajrami nuk ka pasur mundësi t’i ofrojë logjistik grupit. Ai as nuk ka ndihmuar e as nuk ka bashkëpunuar me grupin. Nga vetëpërshkrimi i aktakuzës shihet se asnjë nga provat nuk korrespondojnë me dispozitën faktike”, tha Pavllovski.

Ja reagimet e të akuzuarve:

“Kërkoj prej BE-së dhe SHBA-së të zbardhin rastin sepse ne nuk jemi terroristë. Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj na kanë thënë se ne vetëm do të jemi figura dhe nëse vjen policia do të gjuani vetëm lartë dhe nuk do t’i sulmoni ato. Edhe një fëmijë dy-vjeçar e di se ne kemi qenë të shfrytëzuar për qëllime politike prandaj nuk e pranojmë fajin dhe kërkojmë drejtësi.” tha Nasuf Beqiri, i akuzuar, raporton Portalb.

Rufki Dogani, i akuzuar tjetër ka pyetur se, pse Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Sami Kastrioti dhe të tjerë, janë vrarë pas dorëzimit në stacionin policor?!

Valdet Zekaj, ka porositur gjykatën e Republikës së Maqedonisë të mos i imitojnë serbë, sa i përket akuzave për terrorizëm.

“Mos i imitoni serbët me këto terme për terrorizëm, ju tentoni të fshihni të vërtetën. Duhet ti hapni rrugë të vërtetës”, theksoi Valdet Zekaj.

“Të më bëhet kontroll mjekësor se a jam unë i çmendur apo normal. Si mendoni ju, unë afër familjes time do të kryeja akt terrorizmi?! Cili i çmendur do të bënte një akt të tillë?!” tha Fadil Fejzullahu, i akuzuar, raporton Portalb.

Ky është rast i rëndë, më i rëndi dhe shumë i komplikuar. Ju porosisë të ecni në hapa të vërtetë dhe të gjeni drejtësinë. Me këto fjalë i është drejtuar gjykatës i akuzuari Nexhmedin Lika.

Arsim Bajrami, i akuzuar tjetër, ish punëtor në policinë e Maqedonisë, e ka kujtuar gjykatën për deklaratën e para dy dite të njërit prej të akuzuarve kur tha se njerëz të DSK-së janë përfshirë në këtë ngjarje.

“Në vazhdim do të përmenden edhe emra të këtyre. Unë 9 muaj jam në paraburgim në kushte shumë të këqija. Kjo më shkakton probleme shëndetësorë, psiqike dhe fizike. Mua edhe po të më jepej mundësia të kthehem nesër në punë, nuk do të kthehesha për shkak principeve të mia morale. Ata që e kanë krijuar këtë lojë duan me mua të fshehin “lojërat” e veta. Mua më kanë si perde e pjesëtarëve tjerë në MPB. Këtë duhet ta dijë opinioni. Unë kurrë nuk do ta kisha bërë një vepër të tillë. Ky rast duhet të zbardhet sepse ia kemi borxh kolegëve dhe të vdekurve tjerë”, ka deklaruar Bajrami.

Seanca e radhës është caktuar për më datë 23 shkurt, ku pritet të nisë dëgjimi i dëshmitarëve./Portalb

LEXO:  Ja gjithçka që ndodhi gjatë gjykimit të rastit “Kumanova”

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button