Ja cilët fakultete maturantët shqiptarë të Maqedonisë i zgjedhin më shumë

Në Universitetin e Tetovës dhe atë të Evropës Juglindore studiojnë aktualisht mbi 25.000 studentë të të gjitha viseve shqiptare. Ata janë të shpërndarë nëpër Programe të ndryshme studimore që dallojnë për nga interesimi që kanë të rinjtë për to.

Për të kuptuar se cilat degë janë më atraktive për t’u studiuar, Portalb bisedoi me zëdhënësit e dy universiteteve në fjalë, të disperzuara edhe nëpër shumë qendra të tjera të vendit.

I puetur se sa është numri i përgjithshëm i studentëve në 11 fakultetet e Universitetit të Tetovës, në të tre ciklet e sdudimeve (studimet deridiplomike, studimet master dhe studimet doktorale), përkatësisht, cilët fakultete janë më atraktive për të rinjtë, Selam Sulejmani – zëdhënës dhe përgjegjës i Zyrës për informim, tha:
“Në Universitetin tonë aktualisht studiojnë afër 20.000 studentë. Ata parapëlqejnë më së shumti të studiojnë në Fakultetin Filozofik (1.627 studentë), në Fakultetin Filologjik (1.347 studentë), në Fakultetin Ekonomik (1.263 studentë), në Fakultetin Juridik (1.134 studentë) e kështu me radhë”.

Sulejmani thotë se Universiteti i Tetovës po bën përpjekje maksimale për rritjen e cilësisë së veprimtarisë akademike dhe shtimin e interesimit të të rinjëve për degë të caktuara të shkencave natyrore dhe atyre aplikative, si më të kërkuarat në tregun e punës.

Të njëjtën pyetje Portalb ia bëri edhe drejtuesit të Zyrës për informim të Universitetit të Europës Juglindore, Demush Bajramit, i cili na njoftoi se në kampusin e këtij institucioni të arsimit të lartë, në tre ciklet e studimeve, aktualisht studiojnë rreth 5.000 studentë.

Kurse, për sa i përket interesimit të të rinjëve për degë të caktuara studimore, ai tha:

“Fakultetet për të cilët shprehin më shumë interesim matrurantët janë: Fakulteti i biznesit dhe ekonomisë (279 studentë), Fakulteti Juridik (240 studentë), Fakulteti i administrimit publik dhe shkencave politike (223 studentë), Fakulteti i gjuhëve, kulturave dhe komunikimit (208 studentë), Fakulteti i shkencave dhe teknologjive bashkëkohore (169 studentë) etj”.

Sipas Bajramit këtë vit akademik ka pasur një interesim të theksuar për studime në drejtime ku mësimi zhvillohet në gjuhën angleze. Bazuar në të dhënat e mësipërme del se maturantët shqiptarë më së shumti preferojnë të studiojnë në drejtimet e shkencave shoqërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button