Çështja e mediave, thuajse të panjohura kërkesat e partitve shqiptare

Vazhdojnë edhe sot përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes katër partive politike më të mëdha për reformat në mediat e Maqedonisë si parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike të përcaktuara me Marrëveshjen e Përzhinos. Grupet e punës të partive politike do ti mbledhë lehtësuesi Piter Vanhojte në Klubin e Deputetëve i cili ka një propozim në tavolinë për to, propozim që e pranoi Shoqata dhe Sindikata e gazetarëve të Maqedonisë .

Përderisa është e ditur thuajse në detaje çfarë kërkojnë partitë maqedonase , situata është e mjegulluar te partitë shqiptare. Edhe përkundër tentimeve të Portalb-it për të marrë kërkesat shqiptare të radhitura në mënyrë taksative, partitë shqiptare improvizojnë me deklarata të përgjithshme.

Në vend që të jenë transparente me mediat sepse fundja për mediat bëhet fjalë, posaçërisht Artan Grubi i cili është në grupin e punës për mediat në kuadër të BDI, qasja e tij është larg transparencës dhe sjelljes profesionale duke mos u përgjigjur në kërkesat për prononcim.

Megjithatë, Portalb mëson se propozimet e ndërkombëtarëve dhe ajo që rekomandohet në raportin e progresit, parimisht janë propozime që përkrahen nga dy partitë politike shqiptare, duke mos pasur detaje të tjera.

Me sa mësuam, pala shqiptare problemin e sheh tek emërtimet.

Të dy partitë janë të mendimit se RTVM, programi i dytë, të jetë 24 orë në gjuhën shqipe, si dhe t’i hiqet “makedonska” (maqedonase) për t’u zëvendësuar me “e Maqedonisë”.

“Kanali dytë të jetë 24 orë në gjuhën shqipe. Radio Shkupi, njëjtë, 24 orë në gjuhën shqipe. Emri të qëndrojë Radio Televizioni i Maqedonisë dhe jo “makedonska”. MIA të ketë redaksi të veçantë në gjuhën shqipe”, tha për Portalb deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Në të njëjtën linjë janë edhe nga BDI. Nga aty na informojnë se:

“Në parim përkrahim propozimet e ndërkombëtarëve dhe atë që rekomandon raporti i progresit. Duke pasur këtu parasysh edhe konsultimet me media dhe gazetar, si dhe kërkesat e mediave në gjuhën shqipe. Radio Televizionin e Maqedonisë ne e kemi në programin tonë zgjedhor nga viti 2014, 24 orë program në gjuhën”.

Në pyetjen e Portalb se a kanë projekt konkret për këtë që është propozuar, në aspektin e strukturës dhe buxhetin.

“Është çështje që do të definohet”, janë përgjigjur shkurt për Portalb nga BDI.

Redaksia jonë mëson se në parim lehtësuesi belg është pajtuar me këtë propozim të partive shqiptare, por ka kërkuar elaborat nga të njëjtit. Elaborat ku do të paraqitnin personelin dhe mjetet me të cilat duan të realizojnë këtë projekt.

Ndryshe, Naser Selmani nga SHGM mendon se këto propozime bëhen vetëm për propagandë, sepse nga ana e përfaqësuesve shqiptarë nuk është parashtruar detajisht projekti.

“Partitë sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj një projekti që është në interes të shqiptarëve dhe duhet të mbështetet. Por, nuk janë të interesuar që projekti të realizohet por për të bërë propagandë dhe për ta përdorur për fushatë parazgjedhore”, theksoi për Portalb Naser Selmani, numri një i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button