Të dalim nga konformizmi!

E dini, gjithnjë i kam pasur lakmi qytetarët të cilët të drejtën e votës e shikojnë si përgjegjësi, të cilët në mënyrë analitike u rreken ndodhjeve politike, objektivisht, paanshmërisht, pa marrë parasysh proviniencën e tyre partiake, të cilët nuk i mbyllin sytë para padrejtësive, para represionit që e bëjnë institucionet qeveritare, para padrejtësive sociale, para cenzurës dhe nuk pranojnë të zhyten në detin e konformizmit.

Ata janë njerëz të vetëdijshëm për atë se çfarë nënkupton procesi i quajtur “zgjedhje”, po edhe çfarë nënkupton rezultati prej zgjedhjeve, për shkak se ai rezultat do të na i dirigjojë kahet kah do të lëvizim, do të na i ndriçojë apo errësojë rrugicat nëpër të cilat përditë ecim, do të na motivojë të përparojmë apo do na shpjerë në regres. Prej votave tona varet se sa mund të funksionojë një shtet në mënyrë stabile, të pavarur, demokratike, pa ndërhyrje të faktorëve të huaj.

Duke jetuar në kryeqytetin e Greqisë, Selanik, tashmë gjashtë vjet, mundem me siguri të pohoj se ky popull është popull që lufton, popull që nuk mund ta frikësojë asnjë lider i asnjë partie, popull që nuk frikësohet të dalë e të grevojë, t’i kërkojë të drejtat, të solidarizohet me qytetarët tjerë, sepse është i vetëdijshëm se ditën e nesërme mund të jetë në vend të tyre. Ky është vend ku jeton demokracia në çdo lagje, ku jeton pluralizmi dhe solidariteti. Si student në fakultetin e shkencave politike, në ligjërata shpeshherë e analizojmë krizën ekonomike e politike në të cilën gjendej Greqia, veçanërisht në periudhën pas qeverisjes së Jorgos Papandreut, që do të thotë në kohën e qeverisë teknike të Llukas Papadimosit. Më kujtohet kur në një prej orëve një kolege tha: “Të gjithë ne jemi fajtorë për atë që po na ndodh sot, nga një pjesë të fajit e bartim të gjithë.”

Fjalët e saj asnjëherë nuk do t’i harroj. Për mua ato fjalë janë dëshmi për guxim, unitet, përgjegjshmëri, po edhe për dhimbje. Ajo është dhimbja prej gjendjeve, me të cilat përballej vendi dhe populli. Ajo periudhë është koha kur votues të shumëfishtë e përkrahës të parezervë të dy partive të deriatëhershme (të cilat e monopolizuan sistemin politik grek) – Demokracia e Re dhe PASOK, filluan të dyshojnë në identitetet dhe ideologjitë e veta politike. Konstatuan se sistemi qe bërë i korruptuar, disfunksional e anakronik, se është koha për ndryshime, e ato ndryshime mund të bëhen vetëm nëse ata vetë i ndryshojnë zgjidhjet e tyre votuese dhe bëhen të vetëdijshëm se interesat e shoqërisë duhet të ngrihen mbi interesat personalë.

Pyes veten pse vallë edhe në Maqedoni nuk po ndodh e njëjta gjë? Sa të afërt jemi, kurse po jetojmë në botëra aq të ndryshme. Kur do t’i pranojmë përgjegjësitë? Kur do të ndalojmë së votuari për shkak të frikës apo, edhe më tmerrshëm, për shkak të interesave personalë, duke u bërë skajshmërisht të painteresuar për njerëzit tjerë rreth nesh? Kur do ta kuptojmë se Gruevski nuk është i rëndësishëm, se nuk duhet t’i bëhemi figura shahu, me të cilat do të luajë si të dojë dhe do t’i përqeshë, se mundemi vetë të ndërtojmë një shoqëri ku do të jetojë liria, paqja, pluralizmi në të gjitha nuancat e tij, e ku nuk do të ketë tensione e gjuhë të urrejtjes?

Le t’i pranojmë së pari gabimet që i kemi bërë, t’i lëmë pak syzet rozë në tavolinë dhe të fillojmë nga faqja e parë ta lexojmë librin e quajtur “Maqedoni”. T’i nënvizojmë të gjitha momentet e rëndësishme, t’i analizojmë bukur që pastaj të mundemi të vijmë deri te faqja e sotme dhe vetë ne të fillojmë të shkruajmë.
Nuk na duhen elita që do të na i shkurtonin të drejtat, që duan të na i kontrollojnë mendjet dhe të na i heshtin gojët.
Na duhen qeveri që do të përkujdeseshin për mirëqenien e qytetarëve të vet, që do të investonin në arsim cilësor, në jetë cilësore, që do të dinë t’i pranojnë kritikat, sepse ato janë konstruktive dhe shpiejnë kah e mira.
Të paktën në zgjedhjet e ardhshme le të punojë ndjesia e përgjegjshmërisë ndaj popullit e vendit tonë!
Mjaft më ishte me korrupsion, demagogji, populizëm! Të dalim nga konformizmi! Është koha të tregojmë çfarë do të thotë të jesh popull. Popull në kuptimin e plotë dhe të njëmendtë të fjalës!!!

Autorja është studente në Fakultetin e Shkencave Politike në Selanik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button