Ja sa të pasur janë deputetët shqiptarë

Banesa dhe objekte afariste jashtë vendit, libreza të majme bankare, shumë tokë. Fletat anketuese të drejtorëve dhe deputetëve nga kampi politik shqiptar – prej atyre “modeste” e deri te ato “më të rënda”. Të varfëra janë të dhënat rreth gjendjes së llogarive devizore. Disa prej tyre, duke gjykuar sipas asaj që gjendet në fletat anketuese, aspak nuk kanë llogari bankare. Një pjesë e pronës së patundshme të disa funksionarëve, është e regjistruar në emër të prindërve ose të afërmve me lidhje gjaku. Disa kanë edhe fëmijë të pasur. Në vazhdimin e dytë të kësaj teme, “Portalb”-i publikon të dhëna për gjendjen pronësore të deputetëve dhe të drejtorëve në zë.

LEXONI PJESËN E PARË kliko – Sa janë të pasur ministrat, deputetët, drejtorët shqiptarë?

Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së

Mehmeti ka veturë personale, dy kartela bankare dhe kredi në emrin e saj. Sipas të dhënave që janë në dispozicion nga fleta e saj anketuese, kjo deputete nga radhët e BDI-së që është në pushtet, e ka paraqitur banesën e bashkëshortit, me sipërfaqe prej 70 metrash katrorë në vlerë prej 58.400 eurosh. Mehmeti ka veturë të tipit Tojota Auris, ndërsa ka edhe dy kartela bankare ku ka 1.000 dollarë amerikanë dhe rrogën mujore. Deputetja duhet të kthejë kredi prej 15.190 eurosh me afat prej shtatë vjetësh.

Hajrulla Misini, deputet i BDI-së
Misini si pronë të patundshme ka shtëpi me oborr në Kumanovë, me vlerë të paraqitur prej 37.500 eurosh. Deputeti ka paraqitur dy vetuar, njëra e tipit Rover, ndërsa tjetra Golf 5, për të cilën nuk ka theksuar se në pronësi të kujt është. Prindërit e Misinit kanë shtëpi prej 190 metrash katrorë në Kumanovë dhe posedojnë pyll prej 1 hektari në Kosovë. Misini vitin e kaluar nga bankat ka marrë dy kredi me vlerë të përgjithshme prej 35.000 eurosh. Në të njëjtën kohë, prej vitit 2008 paguan lizing për pronën personale me vlerë prej rreth 21.000 eurosh.

Bexhehudin Shehabi, deputet i BDI-së
Gjykuar sipas të dhënave që janë në dispozicion nga fleta e tij anketuese, deputeti Shehabi nuk ka as pronë të tundshme as pronë të patundshme. Ka paraqitur vetëm dy gjëra, shtëpinë e prindërve të tij në Tetovë me vlerë prej rreth 200 mijë eurosh dhe si pronë të tij personale – librezë kursimi në denarë me 25 mijë denarë.

Rafiz Aliti, drejtor i “Postave të Maqedonisë”
Fëmijë dhe vëlla të pasur, pronë modeste personale. Drejtori i “Postave të Maqedonisë” Aliti, sipas të dhënave nga fleta anketuese, në emrin e tij personal ka paraqitur shtëpi në fshatin Radushë prej 210 metrash katrorë me vlerë prej 110 mijë eurosh. Në të njëjtën kohë, si “pronë të përbashkët” ka paraqitur tokë me vlerë prej 55.000 eurosh. Vëllai i Alitit disponon me shtëpi që ka vlerë prej 80.000 eurosh dhe hapësirë afariste në Gjermani, poashtu me vlerë prej 80.000 eurosh. Si pronë të fëmijëve, drejtori që vjen nga radhët e BDI-së, ka paraqitur dy parcela me tokë që kanë vlerë prej 30.000 ?urosh dhe dy objekte me vlerë të përgjithshme prej 22.000 eurosh, që gjenden në fshatin Radushë.

Xhelal Bajrami, zëvendësministër për transport dhe lidhje
Bajrami disponon vetëm me librezë kursimi ku ka 5.000 euro. Gjithë gjërat tjera që i ka paraqitur në listën anketuese janë në emër të prindërve, vëllait dhe bashkëshortes. Kështu, prindërit e tij posedojnë shtëpi, tokë dhe hapësirë afariste në rrethin e Kumanovës.

Nuk kanë llogari bankare – posedojnë traktorë!
Një pjesë e funksionarëve dhe deputetëve aktualë, sipas të dhënave nga fletat anketuese, nuk disponojnë me llogari bankare, shtëpi, banesë. Kanë vetëm vetura. Prona e tyre personale është “modeste”, por kanë prindër, fëmijë dhe vëllezër të pasur.

?rhan Ibraimi, deputet i PDSH-së
Deputeti Ibraimi në emrin e tij ka paraqitur vetëm një shtëpi në Kumanovë me vlerë prej 32.500 eurosh. Sipas të dhënave nga fleta anketuese, ky deputet opozitar ka paraqitur pesë parcela me tokë si “pronë e përbashkët”. Ibraimi ka paraqitur edhe një veturë të tipit Mercedes, me vlerë prej rreth 5.000 eurosh. Sipas fletës anketuese, deputeti nuk disponon me llogari bankare.

Nazif Bushi, drejtor i SHA për shërbime të aeroportit “Aeroportet e Maqedonisë”
Fletë anketuese modeste e drejtorit të kësaj firme – Bushi ka paraqitur shtëpi në emër të prindërve të tij prej 800 metrash katrorë në Shkup, pa e theksuar çmimin. Në fletën anketuese të Bushit ka vetëm edhe një të dhënë – kredi që e ka marrë në vitin 2004, me vlerë prej 15.000 eurosh dhe me afat pagese prej 10 vitesh. Sipas të dhënave që janë në dispozicion, nuk ka të paraqitur as automobil e as llogari bankare.

Xhemail Elmazi, drejtor i “Byrosë për zhvillim rajonal”
Edhe një fletë anketuese modeste. Drejtori i “Byrosë për zhvillim rajonal” ka paraqitur shtëpi në Tetovë me vlerë prej 75.000 ?urosh, traktor prej 2.000 ?urosh dhe veturë të tipit Opel Astra me vlerë prej 8.000 eurosh. Nuk ka të dhëna se në pronësi të kujt është kjo pronë.

Brahim Ajvazi, kryetari i komunës së Haraçinës
Shtëpi prej 100.000 eurosh dhe veturë të tipit Audi prej 6.000 eurosh. Kjo qëndron në fletën pronësore të kryetarit të komunës së Haraçinës. Nuk është precizuar se në emër të kujt udhëhiqet kjo pronë e paraqitur. Shtëpia prej 400 metrash katrorë gjendet në Haraçinë dhe është ndërtuar në vitin 1976. Në fletën anketuese nuk ka të dhëna të tjera për ndonjë pronë tjetër ose për llogari bankare.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button