Ja gjithçka që ndodhi gjatë gjykimit të rastit “Kumanova”

Absolutisht jo! Me këtë aktakuzë po fshihet e drejta! S’kemi qenë, s’jemi dhe nuk do të jemi terroristë! Kështu janë deklaruar të akuzuarit për rastin “Lagja e Trimave- Kumanovë”, sot në gjykatë, raporton Portalb.

Edhe pse avokatët mbrojtës të të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave- Kumanovë”, kërkuan që të shtyhet seanca e sotme gjyqësore, një gjë e tillë u mohua nga gjykata.

“Të akuzuarit nuk janë pyetur se a janë në gjendje të mirë shëndetësore që të mund të prononcohen. Duhet bërë ekspertizë neuropsikiatrike për ta vërtetuar gjendjen e tyre shëndetësore. Ka prova edhe nga Avokati i Popullit se është ushtruar dhunë ndaj të paraburgosurve ndërsa Prokuroria nuk e ka proceduar rastin. As sot nuk i keni pyetur se si ndjehen”, ka thënë avokati mbrojtës Shasivar Iseini.

Megjithatë, kjo kërkesë e avokatit Iseini është mohuar nga gjykata, e cila e vlerësoi kërkesën e Iseinit si tentim për ta zgjatur procedurën, njofton Portalb.

Prononcimi i Prokurorisë Publike:

“Pas hetimit, është parashtruar aktakuza për vepra penale organizim terroristik dhe terrorizm. Personat kanë marr armë nga stacioni i Gushincës, pasi kanë mundur katër policë dhe i kanë lidhur, pastaj kanë ikur drejt Kosovës. Personat kanë sulmuar policë më 9 maj, me bombë dore nga shpërthimi ishin lënduar një pjesë e policisë. Sulmi kishte vazhduar gjatë ditës dhe natës, me çka humbën jetën 8 policë, ndërsa 42 të tjerë ishin lënduar lehtë. Struktura e grupit terrorist është e ndarë në tre nivele: urdhërdhënëse, logjistike dhe anëtarët e grupit paraushtarak. Do të dëshmojnë faktet është vepruar me paramendim. Prova që tregojnë lidhshmërinë e Gushincës me Kumanovën. Ekspertiza teknike, lajmërime për gjurmë, lajmërime për gjurmë të reja, analizë të armëve të gjetur në vendngjarje”, kështu është shprehur prokurori publik, Naum Panovski.

Prononcimi i palës mbrojtëse:

“Në pajtim me Ligjin për procedurë penale, të gjitha faktet dhe shkresat të propozuara nga Prokuroria publike duhet të më dorëzohen. Kam kërkuar kontrolle mjekësor për klientët, nuk më është lejuar. Do t’ua dëshmojë se aktakuza është me këmbë në qelq. Aktakuza s’ka fakte as bazë juridike. Duhet të lexohet libri i Kambovskit, i cili shumë qartë e shtjellon këtë fenomen. Ju si duket nuk e keni lexuar. Në një vepër terroriste kemi kryerësit dhe të dëmtuarit, viktimat. Unë në aktakuzë nuk arrita të identifikojë se është prezentë grupi i dytë dhe kush janë ata njerëz. Aktakuzës i mungon përshkrimi i veprës penale. Është kontestuese lidhshmëria mes rastit të Gushincës dhe Kumanovës. Bomba e dorës që është hedh, sa e madhe ka qenë që te këtë mundur të gjithë ta kapin. Nëse policia ka shkuar në vendngjarje me kërkesë të Prokurorisë publike, në pajtim me ligjin duhet të tregojë urdhër për bastisje. Nëse ishte bastisje mungon baza. Do të thotë nuk ishte bastisje. Çka ishte, pra? Prokuroria duhet të caktojë kohën e saktë të ngjarjeve, kush ka provokuar ngjarjet me aq intensitet. Kush është ai që e ka gjuajtur bombën e dorës”, me këto fjalë para gjykatës është drejtuar avokati Shasivar Iseini.

Në të njëjtën linjë ka folur edhe avokatja tjetër mbrojtëse Artene Ademi- Iseini. Sipas saj, ka pasur shumë lëshime gjatë hetuesisë.

“Mungojnë organizatorët kryesorë. Do të dëshmojnë se të akuzuarit janë manipuluar”, ka thënë mes tjerash Ademi-Iseini.

Avokati Naser Raufi tha se në mënyrë taktike janë lidhur ngjarjet në Gushincë dhe Kumanovë. “Ngjarjet ndodhen për ta defokusuar opinionin nga të a.q bomba. Provat e Prokurorisë janë selektive. Vlerësoj se këto vepra janë të inskenuara. Është evidente se janë keqpërdorur të gjithë të akuzuarit”, ka theksuar Raufi, raporton Portalb.

12674181_10153382622352215_629189509_n

Ja çfarë thanë disa nga të akuzuarit:

“Shpresoj gjykata të mos jetë nën ndikimin e politikës. Mos harroni se edhe UCK-në më 2001 e quajtët terroriste, ndërsa sot jeni në Qeveri me të njëjtit, bashkë me Ali Ahmetin”, tha Muhamet Krasniqi para gjykatësve të Republikës së Maqedonisë, raporton Portalb.

“Duhet të merrni autobiografinë e secilit dhe të shihni se vallë ndonjëri prej nesh ka lidhje me terrorizëm”, u shpreh Demë Shehu.

“Me cilat fakte na vishet fajësia”, pyeti Arsim Bajrami.

“Nuk jemi terrorist, ia kemi dëshmuar edhe OSBE-së. Prej tyre kemi marr edhe numrin e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit”, theksoi Shefqet Kallaqi.

“Vendim i përshpejtuar, s’kemi të bëjmë me terrorizëm”, kategorikisht pohoi Lirim Krasniqi.

“Askush nuk na quan terrorist përveç Maqedonisë. Unë kam fakte se janë të përfshirë persona të “DBK”-së (DSK)”, deklaroi Sevdail Miftari.

Derisa të akuzuarit tjerë, pa shtuar diçka më tepër, kategorikisht refuzuan që veprës së tyre t’u vihet barrë terrorizmi.

Deklaratat e familjarëve:

“Çfarë presim ne për familjarët tonë as më pakë e as më shumë fatin e atyre shumë shqiptarëve në ato skena që janë bërë nga 2001 e këndej , por edhe në vetë betejën e Kumanovës ku njerëzit ishin të dorëzuar dhe sot nuk janë në jetë . Ne sot urojmë , shpresojnë dhe natyrisht kërkojmë nga bota demokratike por edhe nga forcat demokratike të popullit Maqedonas, në popull besojmë, në qeveri assesi që këta njerëz të trajtohen brenda ligjeve që janë për të gjithë qytetarët në Maqedoni”, tha Gani Krasniqi, familjar i Muhamet Krasniqit.

“Unë kam ardhur me pa vëllain Fadil Elshanin nuk po na lënë me hy brenda ne prej atje kemi marrë rrugën ata nuk na lanë me hyjë. Plotësisht ai është i pafajshëm kemi bërë kërkesë po nuk po na lanë vetëm një thonë se duhet të hyjë me pa , na kemi ardhur prej Kosovës me pa pse kështu na jemi motrat nuk e dijë çfarë ligji është këtu , nuk besojmë çfarë drejtësie me e marrë të pafajshëm djalin”, u shpreh Hata Kuçi, familjare e Fadil Elshanit.

“Unë kam kushëririn e burgosur këtu e kanë familjarin e burgosur këtu por nuk na lejnë as me hy as me pa se çka bëhet këtu dhe kemi ardhur këtu po presim. Shpresojmë se do të jetë gjykimi i drejtë se janë të pafajshëm dhe duhet të ketë një gjykim të drejtë dhe shpresojmë të jenë të lirë të gjithë. Nuk është e vërtetë atë e dinë të gjithë janë manipulime dhe një fëmijë ta pyesësh atë e dinë të gjithë dhe duhet të lirohen “, tha Shefki Rushiti, familjar i Fejzulla Rushitit.

Kujtojmë se Avokati i Popullit ka hapur një lëndë për torturë policore ndaj të akuzuarve për të njëjtin rast.

Seanca e radhës vazhdon më 11 shkurt (e enjte) ora 10./Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nuk kam koment per gjera qe ndodhin ne Maqedoni njerez aq te pafajshem te jenn ne burrg kete e shoh vetem ketu tek ne te gjith trimat jan burrgosur mos dhasht zoti qe te fillon luft ktu tek ne kush do te na mbron nga armiqt kush do te na shpetoj neve nga gjera te padeshirueshme kur te gjith trimat ose jan neper burgje ose I kan vrare. Nuk esht shtet ky kshtu gjithmon duhet te ket drejtsi mirpo per fat te keq ktu tek ne nuk po mundem qe ta gjejm drejtsin shpresojm qe drejtsin do ta gjejm para Allahut.
    Rasti Monstra ky I kumanoves edhe shum tjera nuk kan gjetur drejtsin. Asnjeher sdot ket drejtsi si mundet gjykata te gjykoj nje vjedhes se ka vjedhur 10 qebap 3vite burg kjo esht qesharake po turp esht sepse kto gjera ndodhin veq tek ne ne Maqedoni askund tjeter………

Leave a Reply to Semrane Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button