Gashi: Na ofendojnë inteligjencën, duhet luftuar partitë kur dëmtojnë interesat e shqiptarëve

Qeveria ofendon inteligjencën e gjithë qytetarëve duke ndërtuar përmendore me paratë e tyre në stilin, “hedh gurin e fsheh dorën.” Kështu shprehet Afrim Gashi në një bisedë për Portalb duke folur për iniciativën e tij pse vendosi ta mbulojë përmendoren e carit serb me pëlhurë të zezë.

Portalb: Si mund policia t’ju ndalojë ta mbuloni një përmendore që sipas prononcimeve publike, “nuk i takon askujt”?

Gashi: Kjo dhe ishte ideja e protestave. Si ka mundësi në qendrën e një shteti të vendoset përmendore dhe askush të mos e marrë përgjegjësinë për vendosjen e saj. Me këtë, qeveria përveç që provokoi rëndë shqiptarët duke vendosur Car Dushanin barbar në “Urën e Civilizimeve”, ajo ofendoi edhe inteligjencën e tyre.

Portalb: Mendoni se ka efekt protesta juaj?

Gashi: Mendoj se qëllimin që kishim e kemi arritur, edhe pse policia nuk na lejoi që ta mbulojmë “Car Dushanin” me pëlhurë të zezë, ajo përmendore do të mbetet e mbuluar me “pëlurën” e turpit, deri sa të mos largohet nga ai vend, ndërsa ata që e kanë vendosur do të mbeten për gjithë jetën faqezi.

Portalb: Çfarë mendoni për përgjigjen e Bujar Osmanit, se BDI pret njëherë te shihet kush e ka vendosur e me pas të merren masa?!

Gashi: Nuk dua të komentoj agjenda dhe deklarata të subjekteve politike. Protesta ishte vetëm ngritje e zërit të arsyes së qytetarit të rëndom të Maqedonisë. Ky zë është ngufatur dhe nuk dëgjohet askund, ndërsa ne po bëjmë përpjekje që ky zë të fillojë të dëgjohet sa më shumë, sepse kjo është në të mirë e gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe unë dua të jap kontributin tim modest në këtë të mirë. Partitë politike le të bëjnë punën e tyre dhe ne do i përkrahim kur ajo është në të mirën e përgjithshme dhe anasjelltas, do të mundohemi t’i zgjojmë kur ato përgjumen kur dëmtohen interesat qytetare. Ajo është detyra e sektorit civili dhe ne pikërisht këtë punë e bëmë sot.

Afrim Gashi dje ndërmori iniciativën për mbulimin me pëlhurë të zezë të përmendores së car Dushanit, por u ndalua nga policia e Maqedonisë. Gashi është kryeredaktor i Revistës Shenja. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button