MASH e pafuqishme ta parandalojë plagjiatin në qindra punime të doktoraturës

“Mbi 290 punime të doktoraturës në Maqedoni kanë rezultuar plagjiate, për shkak se një pjesë e madhe e këtyre punimeve janë zbuluar me materiale të kopjuara dhe të përshkruara nga punime dhe libra tjerë shkencorë. Kjo është zbuluar nga sistemi kompjuterik dhe softueri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili ka alarmuar se shumë punime doktorature të finalizuara janë përpunuar me materiale të huazuara dhe të përshkruara”, ky është lajmi që këto ditë u pa në shumë media, duke mos e trajtuar si skandaloz numrin e plagjiaturave për një vend me popullatë të vogël dhe me nivel të ulët të arsimit siç është Maqedonia, njofton Portalb.mk.

Të dhënat e fundit të Entit Statistikor të Maqedonisë tregojnë se gjatë vitit 2014, me titull doktor shkence janë pajisur 206 persona, që në krahasim me vitin 2013 ka rënie prej 5.9%.

Për rastin në fjalë, redaksia e Portalb-it fillimisht ka tentuar të kontaktojë me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, por ai s’ka qenë i kapshëm.

Në një bisedë telefonike të Portalbit me zëdhënësin e MASH-it, Martin Galevski, ai e ka sqaruar rastin në fjalë.

Sipas Galevskit, MASH-i me softuerin për detektimin e plagjiatëve në punimet shkencore, vetëm jep raport përpara profesorëve, ndërkaq profesorët vlerësojnë për kalimin apo moskalimin e kandidatëve. Për numrin në fjalë, sipas lajmit të plasuar, nga MASH, vlerësojnë se nuk mund të ketë një numër të caktuar sepse, ata nuk e dinë se sa kandidatë i kanë kaluar, njofton Portalb.mk.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një softuer me të cilin e vërteton përqindjen e plagjiatit në punimet shkencore. Të gjitha punimet na dërgohen neve për t’i kontrolluar dhe ne i kontrollojmë dhe pastaj ua tregojnë përqindjen e plagjiatit (nëse ka) profesorëve. Megjithatë, ne nuk jemi ata të cilët vendosim se punimi i tillë a duhet të kalojë apo jo. Ne i tregojmë profesorit apo komisionit të profesorëve, ndërkaq ai vendos për atë se a do ta pranojë punimin që kandidati ta merr titullin doktor i shkencës apo jo”, tha për Portalb, Galevski.

Profesori universitar, Avzi Mustafa, vlerëson se ka plagjiatura në Maqedoni, madje në masë të madhe, megjithatë lajmi i plasuar se janë zënë 290 është numër i madh. Ai shton se programi i MASH-it për verifikimin e punimeve se a janë të kopjuara apo jo, nuk është real.

“Programi për verifikimin e plagjiatorëve nuk është preciz, ai më tepër ndalet në pjesën teknike dhe jo përmbajtjesore, për këtë ndonjëherë edhe kur është në rregull punimi, programi e nxjerrë si gabim dhe anasjelltas. Programi është bërë në bazë të një strukture, të një gjuhe, ku pika e asaj gjuhe është që ndryshon sepse kur përkthehet prej një gjuhe në një gjuhë tjetër, rendi i fjalëve dhe fjalive ndryshon, kështu që jo gjithmonë hetohet plagjiatura, për këtë unë programin nuk e mbështes”, shprehet për Portalbi, profesori universitar, Avzi Mustafa.

Mustafa, shpjegon se profesorët marrin raport nga MASH-i për përqindjen e plagjiatit në tekst dhe në bazë të përqindjes ato vendosin se a do ta lëshojnë apo jo, sipas tij, çdo profesor deri më 10% toleron.

Plagjiatura në Republikën e Maqedonisë është akt joligjor dhe i dënueshëm me ligj sipas disa neneve të Ligjit për të drejta autoriale.

Portalb gjithashtu, të nderuar kolegë ju njofton se plagjiatura ndaj lajmeve (tona) është jo-etike dhe e ndaluar sipas Kodeksit të gazetarisë, neni 12 ku thuhet:
“Bërja e plagjiaturës është e palejueshme. Citatet nuk duhet të shfrytëzohen pa miratimin e burimit ose autorit.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button