Shkup, zënkat në shkolla, institucionet nuk mbajnë përgjegjësi!

Pas lajmit se në Shkollën e Mesme të qytetit të Shkupit “Zef Lush Marku”, dje rreth orës 10:30, ka ndodhur një zënkë mes dy nxënësve (të vitit të parë dhe të dytë), ku për pasojë është lënduar nxënësi, M.R. me thikë nga një nxënës tjetër jashtë objektit të shkollës, prindërit shprehin shqetësim me ç’rast edhe një herë i bëjnë thirrje MASH që të ndërmerr masa për sigurinë e nxënësve në shkolla.

Kjo nuk është hera e parë e prindërve që ngrisin zërin dhe ankohen lidhur me pakujdesinë që tregohet nga ana e institucioneve kundrejt nxënësve dhe personelit të shkollave.

“Në shkolla duhet të ketë shumë kujdes, normal që edhe ne si prindër duhet të edukojmë fëmijët tanë që të jenë të sjellshëm dhe jo të dhunshëm, mirëpo po të kishte sigurim më të madh, nuk do vinte puna që secili prind që ka fëmijën në këtë gjimnaz, të shqetësohet dhe të fillon me panikë të kontaktojë fëmijën e tij me frikë që mos ai është viktima. Jo vetëm unë po të gjithë prindërit bëjmë thirrje që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa dhe një gjë e tillë të mos përsëritet”, tha Agim Gashi, prind.

Kohë më parë prindërit gjithashtu u ankuan për pakujdesinë e MASH që të siguroj punonjës për të siguruar nxënësit në objektet shkollore, ku për këtë arsye prindërit vetë nga xhepi i tyre punësojnë një person, i cili po ashtu nuk mjafton ne rast se ndodh ndonjë përleshje që janë të përfshirë më shumë persona.

“Nuk është që paguhet ndonjë shumë e madhe, por kur nuk ke mundësi, nuk mund t’i paguash as ato. Disa herë na ftojnë në mbledhje prindërore dhe ceket pagesa por tani nuk dimë çfarë të bëjmë edhe ne. duam sigurinë e fëmijëve tanë por për atë duhet të kujdeset MASH, sepse kjo shkollë nuk është shkollë private”, tha Afrim T., prind.

Zënkat janë bërë përditshmëri, fatkeqësisht, por disa prej tyre përfundojnë edhe në mënyrë tragjike, andaj është më se e nevojshme rritja e sigurisë në shkollë, pasi aty kalojnë më shumë se gjysmën e ditës, thonë prindërit.

“Edhe pse disa shkolla kanë sigurim, prapë ndodhin gjëra të tmerrshme. Mu në këtë shkollë humbi jetën një nxënës i klasës së tetë nga bashkëmoshatari i tij pas një zënke fëmijës. Ku ishte sigurimi në atë kohë? Pse paguhen ata? E njëjta ndodhi edhe në në një shkollë të mesme profesionale kohë më parë, e shumë e shumë raste të tjera për të cilat ne nuk kemi dëgjuar. Siguria në shkolla duhet të jetë më e lartë”, tha një prind tjetër.

Nga MASH kohë më parë thanë se sigurimi i shkollave nuk bie nën kompetencat e këtij institucioni, mirëpo është çështje që duhet ta zgjidhë vetë shkolla.

“Nuk është nën kompetencat e MASH-it që të paguhet sigurimi në shkollë. Vetë shkollat duhet ta rregullojnë këtë çështje”, thonë  për Portalb nga zyra për informim e MASH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button