Pse nuk shfrytëzohet Mali Sharr, një pasuri e madhe natyrore?

Bjeshkataria është lloj sporti dhe rekreacioni që praktikohet shumë në vendet e përparuara të botës, veçmas në ato vende me male të larta e atraktive për sportdashësit.

Viset shqiptare, ndërkaq, edhe pse kanë bjeshkë të jashtëzakonshme, si Malet e Sharrit, akoma nuk kanë arritur të ngjallin dashurinë dhe pasionin për bukuritë e natyrës, aq më pak kanë investuar për shfrytëzimin e resurseve natyrore për zhvillimin e turizmit malor, që sot është trend gjithëbotëror, njofton Portalb.mk.

Për të kuptuar si qëndron puna me bjeshkatarinë e viseve shqiptare të Maqedonisë, Portalb bisedoi me njërin prej pionierëve të këtij sporti ndër ne – Miftar Memetin, kryetarin e Shoqërisë bjeshkatare “Sytë e Sharrit” – të parës shoqëri të bjeshkatarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Ai thotë se, në dallim nga vitet e mëhershme, kohëve të fundit është rritur dukshëm numri i të rinjëve që merren me këtë lloj rekreacioni dhe sporti, megjithatë, Sharri është aq i pasur me resurse sa mund të thuhet se akoma është fare pak i shfrytëzuar.

“Kur ka nisur me aktivitetet e veta shoqëria ‘Sytë e Sharrit’ numri i anëtarëve që na bashkangjiteshin në marshet malore mund të matej edhe me gishtat e duarve, kurse sot janë disa dhjetra shoqëri bjeshkatarësh, anëtarët e të cilëve janë kryesisht të moshës rinore”, tha Memeti.

Ndër të rinjtë që gjejnë kohë të lirë për të ecur shpatijeve të Sharrit është dhe Lavdrim Beqiri,  njofton Portalb.mk.

Dal shpesh të shëtis bjeshkëve tona, sepse kam vërejtur se kjo gjë ka fuqi të madhe relaksuese. Ditën që jam në bjeshkë më duket sikur mbushem me energjitë e domosdoshme për të përballuar më mirë sfidat e jetës”, tha për Portalb, Beqiri.

Artan Sulejmani ecjen në malet përreth vendlindjes së tij e sheh gjithashtu si mundësi të mirë relaksimi, por ankohet në papërgjegjësinë e bashkëvendasve, një numër i të cilëve shkatërron gjithçka të bukur që ka krijuar Zoti.

Për studentin Arsim Osmanin bjeshkataria është gjëja më e bukur që i ka ndodhur në jetë:

Për Portalb Osmani tha: “Ka dy vite që dal fundjavave në bjeshkë dhe mund të them se ndihem më i shëndetshëm se kurrë. Më duket se më është shtuar energjia pozitive dhe kondicioni për punë e për studime”.

Sipas pohimeve të mësipërme, rezulton se bjeshkataria e panjohur deri dje për të rinjtë shqiptarë, ka nisur të zhvillohet e të përhapet gjithandej vendbanimeve tona. Mbase kjo do të ndikojë në zgjimin e vetëdijes së popullatës për kujdesin ndaj florës dhe faunës së Maleve të Sharrit, të cilat janë të njohura me pasurinë e jashtëzakonshme të botës bimore e shtazore dhe me mundësi të pakufizuara për zhvillimin e turizmit malor,njofton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button