Refuzohet ndërtimi i xhamisë, kryqi ngritet vetëm për dekor

Kryqi gjigand prej 33 metrash që do të ndërtohet në Komunën e Aerodromit është një diskriminim i radhës për komunitetin mysliman në vend. Bashkësia Fetare Islame konsideron se ndërtimi i këtij kryqi dhe disa kishave në këtë komunë me paratë e buxhetit që mbushet edhe nga myslimanët, është absurditet dhe kulmi i diskriminimit të komunitetit mysliman.

Ata përkujtojnë se pikërisht në këtë komunë, në lagjen e Lisiçes nuk u dha leje për ndërtimin e një xhamie, që duhej të ndërtohej me paratë e popullit.

Portalb që në janar e trajtoi këtë problematikë me qëndrimet e  subjekteve të ndryshme, por edhe të qytetarëve për këtë çështje.

“Ndërtimi i kryqit në lagjen Aerodrom të Shkupit flet për diskriminimin e radhës që i bënë pushteti qendror dhe lokal qytetarëve të saj me përkatësi fetare Islame. Prefekti i kësaj komune në vazhdimësi ndërton kisha të vogla dhe e ka mbushur lagjen me të tilla të cilat janë më tepër për zbukurim se sa për shërbime fetare. Kishat e tilla janë ndërtuar dhe po bëhen akoma ndërtime që kanë karakter fetar ortodoks me mjete nga buxheti që gjithashtu mbushet nga myslimanët, ndërsa konsideron problem të jep leje për ndërtimin e një xhami në lagjen Lisiçe që bëhet me mjete të popullit mysliman, për të cilën në kontinuitet dërgohen kërkesa nga banorët e saj dhe BFI”, thotë për Portalb Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.

Zëdhënësi i BFI-së Abaz Islami thotë se në vend të ndërtimit të kryqeve dhe objekteve tjera ortodokse që shërbejnë për zbukurim dhe manipulim me ndjenjat e besimtarëve ortodoks, në Aerodrom duhet të ndërtohet një xhami, që do të shërbente për kryerjen e riteve fetare për myslimanët në këtë komunë.

“Komuna e Aerodromit përbëhet edhe nga myslimanë, të cilët përmes xhamisë do të ndërtonin dhe zhvillonin jetën dhe vlerat fetare Islame, e cila gjithashtu do të jetë në shërbim të qytetarëve mysliman, ndërsa kryqi që ndërtohet nga komuna në fjalë e që në fakt nuk sjell ndonjë dobi përpos që do të manipulohet me ndjenjat e besimtarëve ortodoks dhe do të mashtrohet opinioni i anëtarëve të këtij komuniteti”, tha Islami.

Nga kabineti i kryetarit të Komunës së Aerodromit thonë se kjo çështje është jashtë ingerencave të kryetarit, pasi për ndërtimin e kryqit ka vendosur këshilli komunal me shumicë votash. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button