Bashkia e Pogradecit, Strugës dhe Ohrit nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Bashkia e Pogradecit dhe Komunat e Strugës dhe Ohrit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në Wismar të Gjermanisë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, ruajtjen e mjedisit si dhe shfrytëzimin e të gjitha resurseve e vlerave të Liqenit të Ohrit duke marrë për bazë modelin gjerman.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, homologu i tij i Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe përfaqësues të Komunës së Ohrit ishin pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Wismar. Në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Pogradecit thuhet se memorandumi që nënshkruhet për herë të parë do të pasohet nga një marrëveshje më e gjerë bashkëpunimi mes këtyre tre institucioneve në muajin mars.
Sipas memorandumit, Bashkia e Pogradecit dhe Komunat e Strugës dhe Ohrit, do të angazhohen për projekte të përbashkëta për të rritur turizmin dhe shkëmbimet mes tyre.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri deklaroi se ky memorandum do të ketë modelin gjerman si mbështetje. “Unë shpreh vullnetin që ky proces të finalizohet me sukses duke e parë si një mundësi konkrete për shkëmbime mes institucioneve tona e në veçanti për turizmin”, tha Kapri.

Kryebashkiaku i Pogradecit takoi edhe kryetarin e Bashkisë së Wismarit, Thomas Beyer, ku diskutuan për bashkëpunime dypalëshe e në veçanti në finalizimin e një binjakëzimi mes dy bashkive.
Kryebashkiaku Kapri zhvilloi edhe takime me disa investitorë gjermanë të cilët i ftoi të vizitojnë Pogradecin dhe të nisin projekte investimi veçanërisht në turizëm. Bashkia e Wismarit është një nga qytetet më të vjetra gjermane që mbrohet nga UNESCO. /AA/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button