Qeveria e Kosovës: Janë plotësuar 6 nga 8 rekomandimet për liberalizim të vizave

Gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka informuar kabinetin qeveritar në lidhje me procesin e plotësimit të tetë rekomandimeve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, duke raportuar se “nga tetë rekomandime, gjashtë janë plotësuar ndërsa dy janë në proces”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë raportimit, ministri Çollaku është shprehur i bindur për një vendim të merituar për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian.

Temë e mbledhjes së sotme ka qenë edhe përpilimi i Strategjisë dhe Ligjit për Trepçën. Me këtë rast, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare, në rastet e ngjashme me atë të Ndërmarrjes “Trepça”.
Qeveria ka ndarë shumën prej 15 mijë euro, që do të shërbejë për hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për “Trepçën”.

“Është një orientim që ne të kemi studime të rastit, të kompanive të ngjashme me Trepçën, në mënyrë që ato t’i marrin si modele gjatë hartimit të Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën. Këto mjete, janë të destinuara për ato qëllime” ka deklaruar kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka kërkuar rekomandimin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për dhënien e autorizimit ministrit të Integrimit Evropian, për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Po ashtu, nga Presidentja është kërkuar ta plotësojë autorizimin e saj për ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së financimit të projektit të hekurudhave të Korridorit 10-të, me Bankën Evropiane për Investime.

Ndër vendimet e rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme janë edhe miratimi i Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit për periudhën 2016-2020, Raporti për gjendjen e natyrës në Kosovë 2010-2014, për çka do të informohet edhe Kuvendi i Kosovës, si dhe propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Ibrahim Makollin, kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime në çështjen e personave të zhdukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button