Përforcime në polici, jo si pasojë e incidenteve të shpeshtuara

Përforcimet në polici, jo si pasojë e incidenteve të shpeshtuara  

Pas incidenteve nëpër rrugë strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme do ti nënshtrohen ndryshimeve të shumta. Drejtorisë për Siguri Publike do ti shtohen edhe 3 sektorë dhe 6 ndihmës drejtorë.

Përveç ndryshimit të strukturës, do të ketë edhe avancime, lëvizje horizontale, por edhe zbritje në detyrë. 

Sipas MPB-së, ky intervenim është serioz dhe përbën ndryshime serioze, në funksion të përmirësimit të punës së Policisë, për shkak të nevojës për rritjen e kapaciteteve dhe funksionalitetit të saj. Ata synojnë që me këto ndryshime të rritet siguria publike, efektiviteti i policisë dhe punë më ekonomike të kësaj drejtorie. 

Përveç Drejtorisë për Siguri Publike, do të ndryshojnë edhe 3 kryeshefa të Sektorëve rajonale policore, duke përfshirë edhe Sektorin më të madh, atë të Shkupit. 

Në vend të Apostoll Stojanovskit, në krye të këtij Sektori vjen Goranço Savovski. Ndryshon edhe Sektori lokal në Tetovë, ku në vend të Shefik Bajramit do të marrë detyrën Faredin Zenuni, si dhe në Sektorin e Brendshëm në Strumicë kryeshef vjen Gjorgji Bozhinov në vend të Marjan Nakovskit. 

Mes posteve që do ti nënshtrohen ndryshimit është edhe Organi për njësite të veçanta, nën kompetencë të së cilit janë EBR, PEP dhe Tigrat. Në krye të këtij organi vjen Antonio Stankovski.  
Nga MPB-ja hedhin poshtë mundësinë që këto ndryshime të jenë pasojë e incidenteve të shpeshtuara ndëretnike dhe prishjen e sigurisë publike. Ata thonë se këto ndryshime planifikohen tashmë 1 vjet e gjysmë, por pranojnë se si qëllim final kanë përmirësimin e punës së policisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button