Ndalet Shkëndija me barazim nga Spliti

Skuadra ‘kuqezi’ është ndalur me barazim pa gola në ndeshjen e pestë kontrolluese në këto përgatitje, ndërsa e treta në Antalia. Në një përballje interesante me ekipin e vendit të katërt të futbollit elitar të Kroacisë, RNK Split, djemtë e trajnerit Akrapoviç sollën një pjesë të parë shumë të mirë, e cila duhet të shërbejë si model loje për të ardhmen, përjashtuar efikasitetin që kësaj rradhe mungoi. Agresivë, të saktë në pasime, presion i shkëlqyeshëm që solli shumë topa të vjedhur dhe aksione të mira që për fat të keq nuk sollën asnjë realizim.

Nexhipi në minutën e 5-të godet rrezikshëm skaj portës, pasi paraprakisht u zhvillua një prej aksioneve më të bukura të takimit. Disa sekonda më vonë pas një topi të vjedhur Radeski godet mbi portë. Spliti u kanos në minutën e 6-të kur intervenon Zahov dhe Cuculi, ndërsa në anën tjetër mundësi e re për Radeskin, por që ndalet nga portieri Zagorac. Në minutën e 21 tentim i pasuksesshëm i Nexhipit, ndërsa në të 25-tën Ibraimi me disa finte të bukura ‘shashtris’ tre mbrojtës kundërshtar, mirëpo tentimi i Radeskit ndalet nga Zagorac.

Në pjesën e dytë tempoja e lojës pësoi rënie, por gjithsesi Shkëndija pati mundësi tjera për të shënuar. Në minutën e 61 Ibraimi depërton nga e majta dhe kthen topin para portës për Alimin, mirëpo goditja e mesfushorit nuk ishte precize. Kroatët patën mundësi shënimi që u ndal nga Zahov, ndërsa në minutën e 71 tjetër lëvizje e bukur e Ibraimit, mirëpo e djathta e tij e fuqishme ndalet mrekullisht nga portieri kundërshtar. Deri në fund të ndeshjes të dyja skuadrat patën nga një gjysmë rast, mirëpo pasi rrjetat mbetën të paprekura ndeshja u mbyll me rezultatin e fillimit 0:0. Shkëndija ndeshjen e rradhës në program e ka më 9 shkurt kur përballet me Dunajska Streda të Sllovakisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button