Rama: Kinezët më të saktë se shqiptarët në shkrimin e shqipes

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e institutit kinez “Konfuci” në Tiranë. Kryeministri vlerësoi rolin e këtij instituti duke thënë se, tani do të thellohet më tej bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës, jo vetëm në fushën e dijes, por edhe në sektorë të tjerë.

“Instituti ‘Konfuci’ është i pranishëm në shumë vende të botës dhe universitete të botës dhe tani edhe në Universitetin e Tiranës. Unë besoj se do t’i japë një kuptim më të plotë edhe bashkëpunimit në sektorë të tjerë, të cilët në këto vite kanë patur të mangët një aspekt, aspektin e njohjes së vazhdueshme të njërit-tjetrit”, tha Rama. Sipas kryeministrit, ky institut do të jetë edhe një qendër, ku mund të mësohet për kulturën e një populli mik që shqiptarët e njohin shumë pak.

“Unë kam kuriozitet për kurset që do të zhvillohen në institutet, pasi bëhet fjalë për një tërësi kulturore që ne e njohim më pak se përciptazi, ndërkohë që vendet perëndimore kanë kohë që e studiojnë”, tha Rama.

Ai në fjalën e tij ngriti edhe njëherë problemin e njohjes së gjuhës shqipe, e cila njihet më mirë nga punonjësit e ambasadës kineze, sesa nga vetë shqiptarët. Ai ka treguar edhe një rast, ku një dokument i ambasadës kineze ishte shkruar në gjuhën shqipe, pa asnjë gabim ortografik, ndërsa shtoi se qeveria mendon punësojë redaktorë të gjuhës shqipe nëpër ministri.

“Dokumenti prej  4 faqesh nuk kishte asnjë gabim ortografik dhe mendova se kishte një redaktor të shkëlqyer shqiptar në ambasadë. Në kohën kur lexova këtë dokumente, qeveria po diskutonte për praninë e redaktorëve të gjuhës shqipe nëpër ministri. Një shkresë të atillë shteti shqiptar s’e prodhon dot kurrë dhe e pyeta kush e ka shkruar atë, dhe më tregoi me gisht atë djalin që e ka shkruar. (Një punonjës kinez në ambasadën kineze i cili merret me përkthimin). Prandaj kush dëshiron ta studiojë gjuhën shqipe gjerësisht e thellësisht duhet të shkojë në Pekin”,  tregoi kryeministri. /Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button