S’ka pedagog shqiptarë për shkollën “Panajot Ginovski”

Në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit në Shkup më shumë se gjysma e nxënësve janë shqiptarë, ndërkaq në administratë janë gjithë maqedonas. Kjo gjendje mbetet e pandryshuar vite me radhë.

Përfaqësuesi i këshillit të arsimtarëve shqiptarë në këtë shkollë, Selajdin Hamidi thotë se këtë vit u dha pëlqimi për pranimin e një pedagogu shqiptar, por deri më tani asnjë kandidat nuk është paraqitur.

“Deri më tani janë mbi 700 nxënës në shkollën tonë ku nxënësit shqiptarë kanë kaluar gjysmën dhe ende nuk ka asnjë ndryshim në administratë. Tani në shtator u hap konkursi për pedagog shqiptarë, pasi që MASH dhe komuna dhanë pëlqimin, por deri më tani nuk është paraqitur asnjë kandidat”, tha Hamidi.

Ai shprehi shqetësim se nëse nuk paraqitet ndonjë pedagog shqiptarë ata sërish do të punësojnë maqedonas.

“Kemi shumë shpresa që me punësimin e pedagogut pastaj do të ecin më mirë punët dhe do të punësonin edhe zëvendës drejtor shqiptarë, ngase me ligj edhe na takon me këtë numër të nxënësve që kemi, por nëse nuk paraqitet askush atëherë do të jetë problem”, shtoi Hamidi.

Është i çuditshëm fakti se në këtë konkurs nuk është paraqitur ende asnjë kandidat, kurse nga Fakulteti Pedagogjik nuk arritëm ta marrim asnjë prononcim si dhe nuk ka të dhëna publike në lidhje më numrin e të diplomuarve në këtë drejtim.

Ndërkaq Agim Rushiti nga Sektori për arsim superior pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH),  thotë se kuadër ka me bollëk por sipas tij mungon informimi. 

“Ka shumë student që diplomojnë çdo vit në pedagogji, andaj mund të themi që kuadër ka me bollëk, arsyeja se pse nuk ka konkurruar askush mund të jetë mos informimi, ndoshta nuk kanë lexuar konkursi i cili me ligj duhet të shpallet në gazetën zyrtare dhe një gazetë në gjuhën shqipe”, tha Rushiti.

Lajme të ngjashme

Back to top button