Dështon shkolla në Sellcë, do të ndërtohet prej fillimi

Ka dështuar projekti për ndërtimin e objektit shkollor në Sellcë të Tetovë, ndërtimet e së cilit kishin filluar 13 vite më parë. Pas publikimit të lajmit rreth lënies në harresë të këtij objekti, zv/ministri i arsimit Safet Neziri qëndroi në Sellcë për të parë nga afër gjendjen e objektit. Neziri tha se projekti i objektit të ri për shkollën ‘Rilindja’ ka dështuar dhe se punimet nuk mund të vazhdojnë aty për shkak të çarjeve që ka pësuar bazamenti dhe muret e objektit. Pritet që të bëhet revizion i dokumentacionit për gjithë procedurën dhe për përgjegjësinë e dështimit të këtij objekti i cili ka kushtuar rreth 400 mijë euro. 

‘Në këtë objekt për momentin nuk mundë të vazhdojmë të ndërtojmë shkaku i plasaritjeve në bazament dhe deformimi i pllakës. Do bëhet revizioni komplet i dokumentacionit, do vijnë edhe ekspertët për të bë kontroll dhe mbikëqyrje të objektit se si është ndërtuar a janë paraparë të gjitha procedurat pra gjithë ajo që quhet ndërtimtari dhe arkitekturë’, u shpreh Safet Neziri, zv.ministër i arsimit.

Përkundër dështimit të këtij projekti, Neziri thotë se shumë shpejtë do të  kërkojnë ndonjë vend tjetër në këtë fshat për të ndërtuar objektin e ri shkollor.

‘Ne e kemi parasysh kërkesën e banorëve prindërve dhe arsimtarëve, sot bisedova po ashtu edhe me kryetaren e komunës për të gjetur ndonjë solucion ndonjë vend tjetër që në të ardhmen ta kemi parasysh që ti përgjigjemi pozitivisht kërkesës dhe nevojës së nxënësve dhe prindërve’, tha Safet Neziri, zv.ministër i arsimit.

Pritet të shihet nëse Ministria e Arsimit dhe Komuna e Tetovës do të reagojnë shpejtë për të zgjidhur këtë problem, apo do të nevojiten edhe 13 vite tjera për të ndërtuar objekt të ri shkollor, ndërsa deri atëherë, rreth 350 nxënës të kësaj shkolle procesin mësimor do ta vijojnë në kushte tejet të vështira, në një objekt të ndërtuar në vitin 1954 dhe gurë dhe baltë, me instalim të vjetër elektrik dhe me mungesë të kushteve më elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor. /alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button