“Topin e Artë e meriton Ronaldo. Brazili favorit në Botëror”

Carlo Ancelotti vazhdon fushatën në favor të Cristiano Ronaldos. Ashtu si pak ditë më parë, trajneri i Realit të Madridit përsëriti se është portugezi ai që e meriton më shumë se kushdo tjetër Topin e Artë. Në një intervistë radiofonike në Milano, italiani foli jo vetëm për Cristianon, por edhe për aktualitetin te Los Blancos si dhe për futbollin në përgjithësi.

“A duhet ta fitojë Ronaldo Topin e Artë? Sigurisht që po. Ai shpreson dhe e meriton këtë trofe sepse po bën gjëra të jashtëzakonshme. Cristiano është një profesionist serioz në atë që bën, kujdeset për çdo detaj dhe ndodhet në kushte fizike perfekte. Lojtarët e tjerë kampionë duhet të veprojnë si ai që të jenë në këtë nivel, nuk mjafton vetëm talenti”.

Edhe për të riun Varane, Ancelotti mendon se është shumë i talentuar, pavarësisht disa gabimeve kundër Juventusit. 4-5 muaj jashtë fushe e justifikojnë francezin në sytë e trajnerit të Realit, sipas të cilit ai ka çdo cilësi që të bëhet një mbrojtës i madh. Po çfarë mendon Ancelotti për etapën e fundit të Mourinhos te Realit?

“Patën disa probleme, por tani shikoj një grup kompakt dhe të bashkuar. Nuk flitet më për të shkuarën por për ato që duhet të bëjmë”.

A e shikon Pirlon një ditë te Reali i Madridit? Jo e sigurtë është përgjigja e trajnerit, edhe pse mendon se Andrea mbetet një numër një në futboll. Për të ardhmen duket se i ka të qarta idetë. Ancelotti dëshiron të qëndrojë sa më gjatë në Madrid, por pranon ndërkohë se në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Në fund edhe një parashikim për Botërorin, shikon të zotët e shtëpisë, Brazilin si favorit dhe pas tij Spanjën, Gjermaninë dhe shpreson edhe për Italinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button