Tetovë, zejet e dikurshme nuk i kënaqin më kërkesat e të rinjve

Të rinjtë tetovarë duket se nuk pëlqejnë profesionet që dikur shumë familjeve ua siguronin të ardhurat e nevojshme për jetesë.

Zanatet e dikurshme (këpucarë, samarxhi, teneqepunues, farkëtarë, zdrukthëtarë…) gati kanë pushuar së funksionuari, disa për shkak të modernizimit të industrisë, e disa për shkak se ka pushuar nevoja e njerëzve për produktet e dikurshme.

Saraç
Saraç

Portalb, anketoi disa zanatçinjë të vjetër dhe u interesua lidhur me mungesën e dëshirës së të rinjëve për tu marë me zejet në fjalë.

Sulejman Sulejmani – zdrukthëtar i vjetër tha:
“Kjo është punë e rëndë dhe me shumë pluhur. Të rinjtë duan punë të lehta, më të pastra dhe me më shumë fitim”.

Zdrukthëtar
Zdrukthëtar

Ndërsa zanatçiu i njërit prej zejeve që dikur kërkohej shumë ndërsa kohëve të fundit ky është zhdukur gati plotësisht – këpucari Abdylqerim Qazimi tha për Portalb se të rinjtë ikin nga këto punë.

“Nuk ka interesim. Të rinjtë duan para, kjo punë është sa për ta mbajtur familjen me bukë. Më parë është punuar shumë, ka pasur edhe interes për punë ndërsa tani është dobët”, tha Qazimi.

Këpucar
Këpucar

Ndër ata që pyetëm është dhe teneqepunuesi i firmës “Nexho”, i cili në mes tjerash tha:
“Askush prej familjarëve të mi nuk dëshiron të vazhdojë me këtë lloj zanati, sepse është i rëndë dhe nuk është fare profitabil”.

Portalb, anketoi edhe të rinj, të cilët edhe pse mendojnë se zanatet janë të mira, pranojnë se pjesa më e madhe e tyre qëndrojnë larg nga to.

Jeton Veliji – jurist i diplomuar, tha për Portalb:
“Mendoj se shkaku kryesor për ikjen e të rinjëve nga punët apo zejet e dikurshme është mospasja e fitimit financiarë”.

Ngjashëm si shumica e zanatçinjëve të vjetër që ikjen e të rinjëve nga zanatet e dikurshme e shohin edhe si fund të zanateve, mendon edhe i riu Islam Imeri.

“Si rezultat i braktisjes së zanateve, një pjesë e tyre janë në zhdukje” tha Imeri për Portalb.
Ai mendon se të rinjtë tani më shumë rëndësi u kushtojnë bastoreve sportive, kafeneve të ndryshme se sa punëve.

Fisnik Islami mendon se shumica e zanateve të mëparshme kanë qenë punë të rënda fizike. Ai e ndërlidh me përparimin e teknologjisë, braktisjen apo ikjen nga zejet e dikurshme.

“Zanati është mirë të mësohet dhe të ruhet nga të parët”, tha Islami për Portalb.

Punime druri
Punime druri

Është evidente se të rinjtë nuk parapëlqejnë të merren më zejet e vjetra.
Dëshmi për këtë janë dyqanet dhe punëtorit e pakta të zanateve të dikurshme, të cilat nuk i shohin më si profesione jete as fëmijët e atyre që i ushtruan ato zanate me gjenerata të tëra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button