Shkatërrohet rrjeti ballkanik i kontrabandës së cigareve

Goditet nga autoritetet greke trafiku i cigareve kontrabandë. Nga operacioni i  kryer në Athinë dhe Selanik janë arrestuar 29 vetë, midis tyre dhe krerët e organizatës, 41 dhe 34 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim 51 persona të tjerë.

Të arrestuarit janë kryesisht grekë, bullgarë dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Ndër personat e shpallur në kërkim janë disa grekë, rusë, ukrainas, një maqedonas dhe një shqiptar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 55000 euro kesh,  6 furgonë, 10 autovetura, një kamion, kompjutera, lista me sasitë e mallrave të magazinuara; një regjistër shitjesh ku pasqyrohen emrat e koduar të blerësve, vendet ku trafikoheshin cigaret kontrabandë, si dhe shumat për çdo lëvizje malli; por edhe dy magazina që shërbenin për përpunimin e ngarkesave kontrabandë.

Gjithashtu janë sekuestruar 8000 koli cigaresh, teksa vlera e taksave doganore të papaguara dhe të përfituara prej organizatës i kalon 19 milionë eurot.

Nga hetimet e policisë, mësohet që organizata ka trafikuar më shumë se 110000 koli cigaresh vetëm gjatë një viti, kurse shumat e përfituara vlerësohen si astronomike.

Sipas autoritete greke, rruga detare e ndjekur për këtë trafik është nga Rusia ose Ukraina në Emiratet Arabe, Qipro dhe Turqi, e në vazhdim nëpërmjet portit të Pireut hynin në Greqi. Ngarkesa shkarkohej në portin e Pireut, ndërsa më pas përpunoheshin në vendin e quajtur Aspropirgo në Athinë. Me kamionë, ato dërgoheshin në Selanik, teksa shumica e tyre kishin destinacion Bullgarinë.

Burime policore bëjnë të ditur për “Top Channel” se në magazinat e Athinës janë gjetur të dhëna të cilat vërtetojnë se ky trafik bëhej edhe me Maqedoninë dhe Shqipërinë nëpërmjet autobusëve të linjave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button