Shkëndija vazhdon fuqishëm me miqësoret

Asgjë e re te Shkëndija kur janë në pyetje ndeshjet kontrolluese të kësaj faze përgatitore. ‘Kuqezinjtë’ sërisht shënojnë 4 gola, njëjtë si në miqësoret në Ohër me Pogradecin (4:0) dhe Mlladost C.D. (4:1). Ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë dhe dominoi në tërësi kundërshtarin nga Kazakistani, FC Ordabassy, duke e mundur me rezultat bindës 4:1.

Shkëndija nisi fuqishëm në sulm dhe pas disa rasteve të humbura në minutën e 24-t Radeski ndalet me faul në zonë, duke fituar penalti. Besart Ibraimi goditi fortë dhe saktë, duke zhbllokuar rezultatin e takimit. Vetëm pak më vonë kundërsulm i bukur i Shkëndijës me anë të Alimit e Todorovskit, Radeski asiston drejt Demirit, i cili me goditje të bukur shënon për 2:0. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa Shkëndija dominoi edhe në të dytën.

Ndryshimi i rradhës në rezultat erdhi në minutën e 56-të kur Besart Ibraimi shënon një super gol nga gjuajtja e lirë, për epërsi 3:0. Në minutat në vazhdim trajneri Akrapoviç bëri disa ndryshime në formacion, ndërsa në minutën e 78-të të rinjtë Shefiti e Asani do të sillnin një aksion të mrekullueshëm me pasime të sakta në zonën kundërshtare, ndërsa goditje e bukur dhe e saktë e Asanit përfundon në këndin e epërm të portës së kazakëve. Deri në fund me disa ndryshime në formacion loja e Shkëndijës pësoi rënie të vogël, ndërsa këtë e shfrytëzoi kundërshtari që pak para fundit me anë të Kasilicas shënoi golin e nderit, për rezultat përfundimtar 4:1.

Paraqitja e Shkëndijës u ndoq nga afër nga seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski, i cili ka udhëtuar drejt Turqisë për të shikuar nga afër paraqitjet e ekipeve nga Maqedonia.

Shkëndija vazhdon përgatitjet në Antalia, ndërsa ndeshjen e rradhës e ka të dielën (31 janar) përballë ekipit bjellorus, BATE Borisov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button