Mustafa e Vuçiq takohen sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot në Bruksel, ku pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe për temat e dialogut në të ardhmen.

Ky takim është vazhdim i dialogut të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

“Është takim i nivelit më të lartë. Nuk është takim klasik negociator, por është takim ku temat do të fokusohen, në radhë të parë, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe në shikimin e perspektivës së dialogut dhe temave të dialogut në të ardhmen”, ka thënë Valon Murtezaj këshilltari i kryeministrit Mustafa për politikë të jashtme.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të shkojë në takimin në Bruksel, për të biseduar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e arritur me 25 gusht të vitit 2015.

Takimi i nesërm ndërmjet kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq do të jetë i pari pas takimit të 25 gushtit të vitit të kaluar, kur u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që nxiti një krizë politike në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button