fbpx

Bexheti: Shqiptarët, të pakualifikuar për poste udhëheqëse në burgun e Shutkës

Shqiptarët nuk janë të kualifikuar sa duhet, për menaxhimin e posteve udhëheqëse në Burgun e Shutkës. Kjo është arsyeja, sipas Ministrit të Drejtësisë Blerim Bexheti, pse në këtë burg nuk ka asnjë komandant policie, zv/komandant dhe as edukatorë shqiptarë. Sipas Bexhetit, përfaqësimi do të përmirësohet sapo të hiqen barrierat ligjore për avancim të kuadrove, transmeton “Alast M”

“Ju kishit dje një informacion rreth përfaqësimit, që lartë poshtë, ai është!  Por me miratimin e Ligjit për miratimin e sanksioneve nga ana e Parlamentit, jemi më se të sigurt sepse ky ka qenë edhe angazhimi ynë që pas abrogimit të këtyre neneve ne të bëjmë përmirësimin e gjendjes faktike. Për momentin, konform ligjeve pozitive, kuadrot shqiptarë që janë në burgun e Shkupit, nuk i plotësojnë kushtet për avancim. Por, me miratimin e Ligjit, dhe me shpërndarjen që do të bëhet nga Sekretariati i MO-së sigurisht se do të kihet parasysh që gjatë shpërndarjes të ketë edhe kuadro që i plotësojnë kushtet për vendet udhëheqëse”, tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë, për televizionin “Alsat M”.

Bexheti tha se për dallim nga Burgu i Shutkës, në Burgun e Idrizovës ka disa komandantë dhe zv/komandantë shqiptarë, edhe pse për të arritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat duhet të vazhdojë avancimi i kuadrove shqiptarë edhe në këtë burg.

“Në burgun e Idrizovës e vërteta është se ka shqiptarë në vende udhëheqëse, edhe atë përveç zv/drejtorit ka zv/komandant në sektorin e sigurimit, komandant në hyrjen kryesore, komandant në hyrjen brenda në burg, udhëheqës sektori për risocializim, në pjesën e burgut të lirë ka përgjegjës edhe shqiptarë edhe maqedonas, dhe mendoj se duhet të vazhdojë edhe më tej ky ritëm”, u shpreh Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Ndërkohë në burgun e Shutkës, përveç mungesës së kuadrove në pozitat udhëheqëse, është në rënie edhe numri i policëve të thjeshtë shqiptarë. Në 4 vitet e fundit nga ky burg janë larguar 8 policë shqiptarë, ndërsa është pranuar vetëm një, transmeton “ Alsat M”.

Lajme të ngjashme

Back to top button