Armët kimike, qytetarët protestojnë para Kuvendit, Meta: Do dëgjohet zëri juaj

Protesta kundër asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë ka rinisur sot në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Ashtu siç ishte njoftuar nga organizatorët, protesta në kryeqytet ka nisur rreth orës 09:30 në rrugën “Xhorxh Bush” përpara parlamentit, ku qytetarë të shumtë kundërshtojnë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin tonë.

Protesta e sotme ka marrë përmasa të mëdha, pasi asaj i janë bashkuar edhe gjimnazistët dhe studentët e Tiranës të cilët kanë bojkotuar sot mësimin për t’ju bashkuar tubimit nën moton “Stop Armëve Kimike në Shqipëri”. Ndërkohë shumica e qytetarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, si “Facebook” e “Twitter”.

Në hyrje të Parlamentit janë në gatishmëri edhe forca të ndërhyrjes së shpejtë, pasi pritet të nisë edhe seanca plenare. Protesta është paqësore dhe veç deklaratave me megafon dhe parullave nuk është vënë re asnjë incident.

Protesta për armët kimike pritet të zhvendoset më pas përpara Piramidës, ku në një podium të ngritur posaçërisht për këtë qëllim, mund të flasin të gjithë qytetarët që kanë për të thënë diçka për çështjen e armëve kimike.

Meta-qytetarëve: Do dëgjohet zëri juaj

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta iu bashkua për pak momente protestuesve përpara se të hynte në parlament, duke i siguruar ata se vendimi ende nuk është marrë dhe për çdo gjë do të dëgjohet zëri i tyre. Më pas në një prononcim të shkurtër për “Neës24”, kryeparlamentari Meta nënvizoi se për çështjen e armëve kimike nuk do të ketë asnjë vendim jashtë zërave dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

“Mendoj se ka mjaft spekulime dhe kjo është një çështje që po instrumentalizohet nga disa politikanë. Shqetësimin e ambientalistëve e mirëkuptoj, por nga disa politikanë që akoma nuk janë çarmatosur vetë dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim për të gjithë ato probleme që i kanë shkaktuar mjedisit në të kaluarën. Nuk ka asnjë vendim, kjo është bërë e qartë nga të gjithë ne”- deklaroi Meta.(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button