“The Guardian”: Pasojat që vuajnë deputetët pas sulmeve në publik

Një grup psikiatrish që janë duke punuar me Parlamentin Britanik kanë këshilluar se deputetët kanë nevojë për mbrojtje më të madhe pas një studimi të gjerë që ka zbuluar se katër nga pesë prej tyre kanë qenë viktima të sjelljes së bezdisshme apo agresive, dhe 36 prej tyre kanë frikë të dalin në publik.

Një sërë martesash janë prishur, deputetë të shumtë janë detyruar të marrin pushim nga puna, dhjetëra tjerë kanë vizituar profesionistë shëndetësorë dhe disa të tjerë janë vizituar nga terapeutë apo janë nën medikamente për ankthe apo depresion si pasojë e përvojave që kanë pasur me pjesëtarë të publikut, thotë studimi.

“Një deputet ka përshkruar se si martesa e tij ka qenë pranë shkatërrimit, derisa bashkëshortja e tij e ka fajësuar atë për lidhje të vazhdueshme dashurie me një femër”, thekson studimi i publikuar nga “The Guardian”.

“Një deputete ka përshkruar se si ajo është dashur ta dërgojë burrin e saj jashtë për të kontrolluar rrugën sa herë që ka dalë nga dera e shtëpisë. Ajo është përballur me sulme paniku disa herë brenda ditës, e madje edhe në Ndërtesën e Parlamentit, duke çuar kështu në një ‘jetë të çmendur’”, transmeton Koha.net studimin e publikuar nga “The Guardian”.

Shtatë psikiatër kanë kryer këtë hulumtim, duke përfshi edhe Dr David James, themeluesin e qendrës “Fixated Threat Assessment”, një njësit ky që vlerëson rreziqet ndaj individëve të profileve të larta, përfshi familjen mbretërore, në emër të Policisë Britanike (Scotland Yard), të Home Office-it dhe të Departamentit të Shëndetësisë.

Studimi, i përkrahur nga parlamenti dhe nga Home Office, zbuloi se 192 nga 239 të anketuarit kanë përjetuar sjellje të bezdisshme apo agresive. Në gjysmën e këtyre rasteve, ata thonë të jenë sulmuar në shtëpitë e tyre.

Një në pesë (43 prej deputetëve që i janë përgjigjur hulumtimit) i janë nënshtruar sulmeve apo tentimeve për sulm, 41% (101 deputetë) kanë pranuar kërcënime me lëndime dhe 22% (52 deputetë) kanë pranuar kërcënime për dëmtim prone. Gjysma kanë thënë se besojnë të kenë qenë subjekt i ngacmimit apo përcjelljes, e përshkruar si sjellje që ka zgjatur për dy javë apo më shumë dhe ka ngjallur frikë.

Komentet nga deputetët për hulumtuesit, studimi i të cilëve është publikuar në “Journal of Forensic Psychiatry & Psychology”, ka përfshirë: “Më ka nxjerrë thikën në tubim elektoral”; “Më ka goditur vazhdimisht në fytyrë”; “Më është sulur me çekan”; “Më ka goditur me tullë”; “kanë shtënë me armë ajrore”; “Jam sulmuar me shpatë samurai. Kam shpëtuar me lëndime në dorë, por asistenti im është vrarë”.

Nga 101 deputetët që kanë përjetuar kërcënime se do t’i lëndojnë ata ose të afërmit e tyre, studimi thekson: “Ka pasur një sërë raportimesh për kërcënime me vdekje, si direkte ashtu edhe përmes emailit, si dhe kërcënime me bombë… Shembuj tjerë ishin: ‘Më mirë të bie të kujdesesh mirë për fëmijët tuaj’; ‘Më ka thënë se do të më vriste nëse fëmija i vdes në spital’; ‘Më ka kërcënuar me vrasje përmes telefonit në shtëpi – telefonatë të cilës i është përgjigjur vajza ime shtatë-vjeçe’; ‘Do të t’shkatërroj’; ‘Gruaja i është përgjigjur telefonatave që thoshin “Do t’ju vras juve apo dikë të familjes suaj”; ‘Më kanë futur benzinë në kutinë postare’”.

Pesëdhjetë e dy deputetë kanë raportuar se prona e tyre është cenuar apo dëmtuar, përfshi shpimin e gomave të veturës, hedhjen e ngjyrës në veturë dhe tulla të hedhura përmes dritareve të shtëpisë.

Nga ata që janë përcjellë, për 46.5% të tyre kjo ka vazhduar për më shumë se një vit dhe në 14.1% të rasteve kjo ka zgjatur për më shumë se pesë vjet. Të targetuara kanë qenë në veçanti femrat më të reja, thuhet në studim. 22% (36 deputetë) kanë shfaqur drojë për të dalë në publik si pasojë e sjelljes së bezdisshme dhe 16% (25 deputetë) janë frikësuar të qëndrojnë vetëm në shtëpi.

Harry Fletcher, drejtor i “Digital-Trust”, një shoqatë bamirëse që ndihmon viktimat e krimit kibernetik, dhe që ka bërë fushatë të suksesshme për forcimin e ligjeve të përcjelljes më 2012, ka thënë se studimi duhet të nxit veprim nga ana e Qeverisë.

“Numri i incidenteve dhe numri i madh i parlamentarëve që janë bërë viktima është i papranueshëm. Duhet të ketë rishikim urgjent të sigurisë së tyre”, ka thënë ai.

“Digital-Trust ka publikuar një udhëzues për deputetët se si t’i mbajnë të sigurt telefonat dhe pajisjet tjera personale të tyre. Një trajnim se si të përballen me sjellje fiksuese do të pasojë”, ka shtuar Fletcher.

Raporti thotë se të vetmuarit e fiksuar janë më të rrezikshëm sesa terroristët në raport me deputetët dhe sugjeron që ata të këshillohen më shumë me Qendrën për Vlerësimin e Kërcënimeve Fiksuese në mënyrë që të ulen kërcënimet ndaj sigurisë së tyre.

Duke folur për “Observer”, ish-ministri i Çështjeve të Fëmijëve, Tim Loughton, i cili ka qenë i prekur nga ngacmimi nga një prej kolegëve të tij, ka shtuar se policia duhet t’i merr këto rreziqe më me seriozitet.

Megjithatë, deputeti Stephen Timms, i cili është goditur dy herë me thikë në stomak më 2010 derisa po mbante një tubim elektoral, ka thënë se frikësohet se nuk mund të bëhet edhe më shumë.

“Pas asaj që më ka ndodhur mua, më është ofruar një thikë për ta bartur me vete. E kam refuzuar sepse kjo e bën më të vështirë që njerëzit të vijnë e të më takojnë. Nuk është ky deputeti që dua të jem”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button