Shkëndija nuk pranoi kërkesën e Bregallnicës

Drejtuesit e Shkëndijës në konsultim të ngushtë me stafin teknik kanë vendosur të refuzojnë kërkesën e Bregallnicës që ndeshjen e kthimit të 1/4 së finales së Kupës së Maqedonisë ta zhvillojnë tre ditë më herët se orari i caktuar paraprakisht. 

Duke u arsyetuar se këtë fundjavë pason pushim në kampionat, drejtuesit e Bregallnicës kanë kërkuar që të përballen me Shkëndijën të dielën (17 nëntor). Mirëpo pasi që kanë analizuar mirë situatën e krijuar dhe problemet me futbollistët e lënduar, nga tabori i Shkëndijës kanë sjellë vendim të kuptueshëm duke vendosur të respektojnë orarin e vendosur paraprakisht nga komesari për gara pranë FFM-së. 

Duke respektuar maksimalisht Bregallnicën, me të cilët kanë marrëdhënie të ngushta dhe korrekte, drejtuesit e Shkëndijës me keqardhje kanë njoftuar miqtë e tyre sportiv nga Shtipi se ndeshja do mbetet të luhet më 20 nëntor. Kjo nga fakti se Shkëndija ka disa futbollistë të lënduar, të cilëve tre ditë kohë do tu shërbenin shumë në tentimin për t’u rikuperuar deri në zhvillimin e ndeshjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button