ANALIZË: Këtë vit për pagesën e borxheve të mbledhura dhe kamatave – 450 milionë euro!

Hua e re nga kreditorët vendorë. Ministria për Financa kërkon hua të re prej 8,8 milionë eurosh, ndërsa të mërkurën maturon për pagesë sasia e njëjtë për shkak të detyrimeve të maturuara. Vetëm për dy javë, qeveria krijoi borxh të ri prej 22 milionë eurosh, njofton analiza ekonomike javore e Portalb-it. Poashtu, për njërën nga huatë e rriti edhe kamatën, e cila për arkën shtetërore do të thotë shpenzim më i madh, ndërsa për kreditorët – më shumë të ardhura. Pse ministri për financa, Zoran Stavreski mori hua të reja kur në dispozicion i ka 270 milionë euro, para të cilët hynë në arkën shtetërore nëpërmjet shitjes së eurokambialit në fund të vitit 2015?

Vetëm për kamata nga buxheti do të harxhohen 100 milionë euro…

Sipas të dhënave nga buxheti i vitit 2016, qeveria këtë vit për shkak të pagesës së huave vendore dhe të huaja duhet të kthejë 450 milionë euro, prej të cilave 300 milionë janë kthim i bazës së borxhit, ndërsa 100 milionë euro – borxh për shkak të kamatave. Përveç këtyre borxheve të maturuara që duhet të paguhen, vetëm për dy javë të vitit 2016, Ministria për Financa krijoi borxh të ri prej 22 milionë eurosh – para që i huazoi nga kreditorë të vendit. Një pjesë e kësaj shume është hua afatgjate, me çka vazhdon trendi i krijimit të borxhit që do të kthehet pas dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh. Sipas LSDM-së opozitare, gjegjësisht zëvendës-ministrit plotësues për financa, Kire Naumov, këto hua të reja do të përfundojnë për financimin e qëllimeve parazgjedhore.

“Stavreski e bëri veprimin më dëshpërues dhe i rriti përqindjet e kamatave të bonove të thesarit dhe të kambialeve, vetëm që të sigurojë sa më tepër mjete për dëshirat e kumbarës së tij, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në kurriz të gjeneratave të ardhshme. Sipas prospekteve të publikuara, përqindja e kamatës për bonot njëvjeçare të thesarit në auksionin paraprak ka qenë 2,50%, ndërsa në të djeshmen 2,60%. Te kambialet shtetërore, me afat pagese prej 15 vitesh, në auksionin paraprak përqindja e kamatës ka qenë 4%, ndërsa në atë të djeshmin, 4,30%. Vetëm me dy auksione dhe huazime, Stavreski realizoi 9% të deficitit të planifikuar për gjithë vitin 2016”, thonë për Portalb nga LSDM-ja.

Sipas një pjese të ekonomistëve, këto huazime të reja janë të papritura për shkak se në fund të vitit 2015 qeveria siguroi 270 milionë euro, para me të cilat duhet të financohet gjysmëvjetori i parë ekonomik i këtij viti. Kur u emitua eurokambiali, një garancë e tillë erdhi edhe nga ministri për financa, Stavreski.

“Do të doja të theksoj se me realizimin e këtij transaksioni për eurokambialin, R.M.-ja siguroi mjete për financimin e nevojave të buxhetit dhe në këtë mënyrë do të mundësohet  vazhdimi i realizimit stabil të buxhetit. Ajo që është më me rëndësi për qytetarët është se viti 2015 solli shumë paqartësi, shumë situata jostabile, krizë serioze politike. Pika e vetme e ndritshme në vend ishte dhe vazhdon të mbetet ekonomia dhe ne nuk do të lejojmë që në këtë pjesë të ketë asnjë lloj çrregullimi” – deklaroi ministri Stavreski.

Borxhi i përgjithshëm publik i Maqedonisë është 3,9 miliardë euro ose 43,9% e PBB-së dhe sipas këtij niveli, Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve që kanë nivel të matur të ngarkesës me borxh.

Megjithatë, analiza e të dhënave që ka bërë Portalb, tregon se ka rritje të konsiderueshme të borxheve edhe ndaj kreditorëve të vendit edhe atyre të huaj gjatë nëntë viteve të kaluara. Në fakt, prej vitit 2007 e deri tani, borxhi i përgjithshëm publik është rritur për 2,3 miliardë euro. Prej vitit të kaluar, qeveria filloi ta ndryshojë edhe afatin e borxhit të brendshëm, gjegjësisht merrte hua që do t’i kthejnë gjeneratat e ardhshme, me afat të maturimit prej 10 dhe 15 vitesh. Kështu, deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2015, borxhi që do të kthehet pas 5, 10 dhe 15 vitesh arriti në 435,3 milionë euro ose më shumë se një e treta e borxhit të përgjithshëm të brendshëm.

“Gjatë këtyre tre viteve e gjysmë, ose prej janarit të vitit 2012, me të vërtetë ndodhi një ndryshim i konsiderueshëm dramatik strukturor në afatet e kthimit të borxhit të brendshëm shtetëror. Për shembull, në janar të vitit 2012, letrat shtetërore me vlerë me afat të maturimit më shumë se 1 vit kanë marrë pjesë me 5,2%, ndërsa për tre vjetë e gjysmë pjesëmarrja e tyre është rritur në 58%, që është me të vërtetë një ndryshim i madh për një periudhë relativisht të shkurtër kohore”, sqaron për Portalb, profesori universitar Vlladimir Filipovski.

Në mesin e kreditorëve më të mëdhenj të qeverisë janë bankat, kompanitë e sigurimit dhe qytetarët nëpërmjet fondeve pensionale.

Të dhënat e bankave tregojnë se gjatë kësaj periudhë tre vjeçare e gjysmë, vlera e letrave shtetërore me vlerë që janë në posedim të bankave është rritur për 2,5 herë, dhe para 3,5 vitesh bankat kanë marrë pjesë me 65% në borxhin e përgjithshëm publik, ndërsa sot kjo përqindje është rreth 47%.

Sipas ekonomistëve, një moment interesant janë fondet pensionale, te të cilat gjatë kësaj periudhe 3,5 vjeçare ka pasur rritje të vlerës së letrave shtetërore me vlerë për 21,5 herë, që konsiderohet një rritje shumë e madhe. E shprehur në përqindje, pjesëmarrja strukturore prej 5% u rrit në 30%, thonë ekonomistët dhe theksojnë se kjo nënkupton se praktikisht me mjetet e të siguruarve pensionalë, në një farë mënyre përsëri financohet shteti.

Sipas analistëve, edhe këtë vit sfidë kryesore do të jetë të ruhet niveli i projektuar i deficitit buxhetor prej 3,2%, që do të jetë detyrë e vështirë, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për vit zgjedhor.

Ministria për Financa e publikoi agjendën për gjysmën e parë të këtij viti – do të realizohen madje 24 huazime të reja, nëpërmjet të të cilave do të kërkohen hua nga bankat, fondet, kompanitë e sigurimit.

Prospektet për huazimet nga kreditorët vendorë flasin se vetëm gjatë dy muajve zgjedhor – mars dhe prill do të realizohen nëntë ankande. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button