Si ta zhveshim banditin nga petku i politikanit

Duke e definuar politikën si arenë e atyre që posedojnë fuqi, te populli është betonizuar bindja se për qytetarin e thjeshtë politika është diçka e paarritshme, ose shprehur ndryshe “fushë që nuk është për secilin”. Bindje kjo që ka ndikuar ta rritë bindshëm apatinë politike- mungesën e vullnetit të njeriut për të marr pjesë në proceset politike.

Mungesa e qytetarit që të mos jetë pjesëmarrës në proceset politike shton gjasën që skena politike të mbushet me hiena, matrapazë dhe banditë. Kështu duke e bërë politikën sferë të matrapazllëqeve dhe duke e zhveshur politikën nga morali. Secili kërkon të mirën personale dhe politika bie viktimë e padrejtësisë. Dhe në vend se të kemi një qeverisje që karakterizohet me moral, virtytet personale të atyre që qeverisin dhe politikbërjen e mirëfilltë, ne ballafaqohemi me keqqeverisje, varfëri dhe politikanë të djallëzuar- banditë/matrapazë.

Urtësia, guximi, bujaria dhe fisnikëria janë tipare të një politikani në kuptimin e plotë të fjalës. Ne shumë pak mendojmë në cilësinë personale të atyre që duhet të na udhëheqin. Ne, zakonisht mendojmë dhe flasim për institucionet, por shumë pak për atë se kush duhet t’u prijë institucioneve.

Niveli jonë i kulturës politike është kyç për të na ndihmuar ne përzgjedhjen e politikanëve- bartësit e institucioneve ata që do të duhet të qeverisin. Filozofia politike ndihmon të zgjedhim formën më të mirë të qeverisjes. David Muller në një rast shkruan se filozofia politike mund të na udhëheq drejt një të vërtete për politikën, diçka e ndryshme kjo nga opinionet që na ndikojnë në jetën e përditshme. Ne na duhet një edukim më i madh në fushën e shkencave politike për ta dalluar një herë e përgjithmonë banditin e veshur me petkun e politikanit, duhet dalluar virtytet e personaliteteve, sepse kjo është kyçe në përzgjedhjen e përfaqësuesve tonë. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi më aktiv në politikë, se ajo nuk ka të bëjë me kënaqësinë personale të disa matrapazëve, por ka të bëjë me të mirën e përgjitshme- me interesin shoqëror.

Niveli më i lartë i lartë i kulturës tonë politike do të ndikonte në uljen e apatisë politike dhe vënien në pah të personaliteteve me cilësi më kualitative. Do të vinin në shprehje njerëz të cilët në qeverisje do të trashëgonin guximin e tyre, vendosshmërinë, bujarinë dhe fisnikërinë, këta nuk do të mund të djallëzohen e as do të kërcënonin dikë më armë- sepse ky është ves banditësh. Ardhja në shprehje e të këtillëve do të ulte numrin e të këqinjve- që politikën e definojnë si arenë e të fortëve.

Duhet pasur një gjë parasysh, fatin e përfaqësuesve tanë e kemi ne. Ne vendosim se kush do të na përfaqësojë; ata që bartin guximin dhe sinqeritetin me vete kur marrin mandatin apo ata që bartin truproje dhe armë në bel. Prandaj bëj thirrje për një aktivizim më të madh qytetar, sidomos tani kur po afrohen zgjedhjet. Një gjë është e pakontestueshme të zgjedhurit janë pasqyra jonë.

Ne jemi popull fisnikë apo, le ta vërtetojë edhe pasqyra …

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button