Një film i bukur

Kalendari intim i secilit ka data kur diçka ka shpërthyer apo është vyshkur. 
Një takim, porosi apo letër e gjatë që sjell fllad i cili bën bota përreth të duket e bukur, të të vijë mirë që bën pjesë aty, gjithçka ia vlen atëherë, çdo tentim del si afrim, s’ka gjë të paaritshme, sikur vetëm atë e ke pritur pa ditur që njëmend ekziston…
Ose një takim, porosi apo letër e gjatë që  krijon një keqkuptim koti i cili fut largësinë, të ftohtin e parë…të ngrihen fjalët, s’ke takat t’i drejtohesh me gjuhë më të qartë, ia le Kohës që zakonisht vetëm se e largon Momentin e sqarimit dhe riafrimit ose përfundimisht e bën të pamundur atë.

…s’ka rastësi, apo? Shpesh ka një arsye.
Kur dje një shoqe më tha se ka dy bileta falas për kinema edhe atë për filmin Balkan is not dead, thash në vete se është kjo mënyrë e mire për t’a shënuar se s’kisha ide si ta shënoj një datë të gjysëmnëntorit.

…kritikat që kisha lexuar paraprakisht s’ishin motivuese, por ato zaten nuk duhet të merren gjithaq si (de)motivuese, për çfarëdo qoftë.
Vërtet, filmi duket si shfaqe teatrore në ekran, por s’kalon në bezdi dhe s‘duket hendikep, më mbajti mbërthyer deri në fund; mua më “han” errësira e sallës dhe sa herë çohem kur nga skena po ekrani nuk ndrit ai lloj energjie që më duhet atë ditë. 
Vërtet, siq e tha një kritike filmi “duket sikur ekipi ka xhiruar më tepër për argëtimin e vet”,  por kjo nuk e ul detyrimisht vlerën e veprës.
Filmi duket jopretencioz dhe pikërisht me këtë arrin efektin e vet.

…një dashuri që duket si e dënuar të jetë e njëanshme paraqet shtyllën bartëse të rrëfimit.
“Unë çka dua marr” – thotë Osman Begu i dashuruar…Por ty s’të marr me zor. Dua të më jepesh”.
Ajo s’jepet, duket sikur përherë ashtu e akulltë do mbetet, është ky tregimi për Angjën që vdes e nuk turqizohet.
“Jeta nuk është gjithçka, dashuria është gjithçka. Unë atë e kisha gjithçka”.
Në fund e sheh se e kaluara është robëri dhe me kujtime s’jetohet. 
Ose s’jetohet gjatë me ato.
Dhe zgjedh ta dashurojë begun.

…shpesh, si pjesë bartëse skenografike,  valviten shumë perde të lehta, të bardha, sikur ndjellin shpresën, por edhe kalueshmërinë. 
Duken që mund të sjellin o fllad o ftohtësi, krejt varet.

– “Dashuri apo urrejtje. Unë zgjedh dashurinë”.

– “Dashuri apo rezon” thotë protagonistja tjetër në një skenë në kupe vagoni dhe e përkthen “dashuri apo pishman”.
Pishmanllëku, sipas citatit, del që qenka rezon. 
E vlefshme për t’a kujtuar ndonjëherë.

Shumë e bukur Dragana.
Bukuria nuk është në formën e syve, por në atë çka flasin ata.
Bukuria nuk është në formën e buzëve, por në atë çka flasin ata.
Aktorja në rolin kryesor duket bukur, shikon kthjellët, flet melodikisht, shtatin e përkryer.
Moti s’është parë diçka aq e bukur në skenat e këtushme.
Rekomandim i ngrohtë për pjesën mashkullore të publikut. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button