fbpx

Edhe ky vit me gabimet skandaloze në tekstet shkollore, vitin tjetër libra të rinj

Gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së  ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri tek fyerjet, do të korrigjohen në librat e rinj që do të jenë në përdorim për nxënësit, nga viti i ardhshëm.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thonë se  Marrëveshja për të marrë libra nga Universiteti i Kembrixhit është në fazën e finalizimit. 

“Marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet për marrjen e librave nga Britania e Madhe është në fazën e finalizimit dhe më pas është parashikuar që të bëhen trajnime për arsimtarët dhe profesorët, ngase ata duhet te adaptohen dhe të mësojnë të ligjërojnë me këta libra”, thotë Safet Neziri, zëvendës ministër i arsimit.

Ai shton se është parashikuar që deri vitin e ardhshëm këto libra të jenë gati dhe ne vitin e ri shkollor të futen në përdorim.

“Është parashikuar që këto libra të merren dhe të përkthehen nga MASH dhe të shpërndahen në fillimin e vitit të ri shkollor 2014 dhe me këtë rast do të zgjidhet problemi i librave të cilat përmbanin gabime”, thotë Neziri.

Sipas tij ky projekt do të ndahet në disa faza dhe do të startojë me librat e shkollave fillore, si fazë e parë e këtij projekti dhe më pas do të fillojnë të përkthehen edhe librat që do të sigurohen për shkollat e mesme. 

Ndërkaq jemi dëshmitarë se viteve të fundit kishte gabime të shumta dhe skandaloze në librat e gjeografisë, shoqërisë, historisë dhe muzikës. Fyerje dhe pasaktësi kundrejt shqiptarëve. Disa herë në publik është reaguar, por arriti të tërhiqet vetëm libri i Shoqërisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close