Fenomen në Maqedoni-1.8 milion votues në 2.1 milion banorë, OSBE kontrollon!

Eksperti i OSBE-së i angazhuar për pastrimin e listës zgjedhore John Aron do të arrijë sot në Maqedoni. Gjatë takimeve të ditës së nesërme me grupin punues për pastrimin e listës, përfaqësuesit e partive politike dhe përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, ai do të informohet për gjendjen e listës aktuale të zgjedhësve. Sa për ilustrim, në listën zgjedhore figurojnë rreth 1 milion e 800 mijë votues, nga 2.1 milion banorë, aq sa ka Maqedonia. Anëtari i LSDM-së në KSHZ Damjan Mançevski thotë se VMRO DPMNE-ja po e përdor edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për të falsifikuar listën zgjedhore.

“Vazhdimisht konstatojmë parregullsi në listën zgjedhore. Evidenca e librave të amzës, adresat e qytetarëve janë në Ministrinë e Brendshme. Ata në mënyrë kriminale kanë lëshuar letërnjoftime për këta persona që realisht nuk jetojnë në adresat e evidentuara në dokumente. KSHZ-ja nuk ka  mekanizma për të ndërhyrë në këtë çështje”, tha Damjan Mançevski.

Por ministrja e brendshme Gordana Jankullovska mohonte akuzat e tilla, duke thënë se listën zgjedhore e kishin miratuar edhe anëtarët e LSDM-së në KSHZ. 

“Bëhet fjalë për listën zgjedhore, për të cilën ishin pajtuar kryetari i KSHZ-së, anëtarët e tjerë dhe partitë politike se për momentin ajo i përgjigjet gjendjes reale në Maqedoni”, ka deklaruar Jankullovska. 

Pikërisht thirrja e Gruevskit për pastrimin e listës zgjedhore ishte një ndër arsyet e dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm të KSHZ-së Boris Kondarko, edhe pse arsyetimi zyrtar i tij ishte se dorëheqja vjen për shkaqe personale. Nga ana tjetër pikërisht lista zgjedhore do të jetë sfida kryesore për kryetarin e ri të KSHZ-së Nikolla Rillkovski i cili pritet që zyrtarisht të merr postin ditëve në vijim./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button